Putini thotë se situata në rajonet e aneksuara të Ukrainës është tepër e vështirë
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se situata në zonat e Ukrainës që Moska i ka shpallur si pjesë të Rusisë, është “jashtëzakonisht e vështirë” dhe i ka urdhëruar shërbimet e sigurisë që ta shtojnë vëzhgimin për t’i siguruar kufijtë e tyre e për t’i luftuar kërcënimet me reja.
Komentet e Putinit, të bëra në Ditën e Shërbimeve të Sigurisë, që festohet gjerësisht në Rusi, erdhën pasi Kievi i përsëriti thirrjet për më shumë armë, pasi dronët e Rusisë goditën objekte energjetike dhe kur po shtohet frika se aleatja e Rusisë, Bjellorusia, mund të hapë një front të ri të pushtimit kundër Ukrainës.
Putini e urdhëroi Shërbimin Federal të Sigurisë (FSB) që ta shtojë vëzhgimin e shoqërisë ruse dhe të kufijve të vendit për ta luftuar “shfaqjen e kërcënimeve të reja” nga jashtë dhe nga tradhtarët brenda vendit, shkruan agjencia “Reuters”, përcjell gazeta “Nacionale”.
Në një rast të rrallë të pranimit se pushtimi i Ukrainës nuk është duke shkuar mirë, Putini paralajmëroi për situatën e vështirë në rajonet e Ukrainës të cilat Moska i aneksoi në shtator dhe e urdhëroi FSB-në që ta garantojë “sigurinë” e njerëzve që jetojnë atje.
“Situata në Republikat Popullore të Donetskut dhe Luhanskut, në rajonet Kherson dhe Zaporizhia është jashtëzakonisht e vështirë”- tha Putini të hënën vonë në mbrëmje.
Në shtator, Putini mori vendim për të aneksuar një pjesë të madhe të territorit të Ukrainës – rreth 15 për qind – në një ceremoni të mbajtur në Kremlin, por këtë muaj tha se lufta “mund të jetë proces i gjatë”. Vendimi i tij për aneksimin e katër rajoneve ukrainase është cilësuar i paligjshëm nga Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë.
Të hënën, Putini e vizitoi Bjellorusinë për herë të parë që nga viti 2019, ku ai dhe homologu bjellorus, Aleksander Lukashenko, i lartësuan lidhjet gjithnjë më të ngushta në një konferencë për gazetarë mbrëmë vonë, por zor që e përmendën Ukrainën.
Ndërkohë Kievi po kërkon më shumë armë nga Perëndimi, pasi të ashtuquajturit dronë kamikazë goditën disa objekte energjie të hënën.
“Armë, predha, aftësi të reja të mbrojtjes... gjithçka që do të na e japë neve aftësinë për ta përshpejtuar fundin e kësaj lufte”- tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë fjalimit të tij të mbrëmjes.
Komanda e lartë ushtarake e Ukrainës tha se sistemet ajrore të saj kanë rrëzuar 23 nga 28 dronët rusë – shumica mbi kryeqytetin Kiev – në atë që ishte sulmi i tretë ajror i Moskës brenda gjashtë ditëve. Rusia e ka vënë në shënjestër rrjetin energjetik të Ukrainës, duke shkaktuar ndërprerje rryme në temperatura nën zero.

