Putini thotë se shtetësia e Ukrainës është në rrezik, nëse vazhdon ky model i luftës
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha të martën se shtetësia e Ukrainës mund të pësojë një “goditje të pariparueshme”, nëse vazhdon modeli aktual i luftës, dhe se Rusia nuk do të detyrohet kurrë që të heqë dorë nga territoret e fituara.
Kreu i Kremlinit i bëri këto komente në televizion një ditë pasi Zvicra u pajtua që të organizonte një samit global, me kërkesë të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, raporton agjencia “Reuters”.
Putini i hodhi poshtë “të ashtuquajturat formula të paqes” që po diskutohen në Perëndim e në Ukrainë dhe ato që ai i quajti “kërkesa frenuese” që ato i përfshijnë.
“Mirë, nëse ata nuk duan [që të bisedojnë], atëherë mos le të bisedojnë”- shtoi ai.
“Tani është goxha e qartë, jo vetëm që kundërsulmi [i Ukrainës] ka dështuar, por nisma është tërësisht në duart e forcave të armatosura ruse. Nëse kjo vazhdon, shtetësia ukrainase mund të pësojë një goditje të pariparueshme, shumë serioze”- tha më tej presidenti rus.
Deklaratat e Putinit për rrjedhën e luftës janë bërë gjithnjë më agresive e me më shumë vetëbesim muajve të fundit, në kohën e dështimit të kundërsulmit ukrainas për të prodhuar ndonjë fitore përmbajtjesore kundër forcave ruse të rrënjosura mirë në terren.
Putini tha se fjalët për bisedime janë “një përpjekje për të na motivuar që t’i braktisim fitoret që i kemi realizuar gjatë një viti e gjysmë të kaluar, por kjo është e pamundshme. Të gjithë kuptojnë se kjo është e pamundshme.”
Sipas një formule të paqes, të paraqitur nga presidenti ukrainas, bëhet thirrje për rikthimin e integritetit territorial të Ukrainës, ndërprerjen e armiqësive dhe tërheqjen e trupave ruse, mes pikave të tjera të saj.
Megjithatë, Rusia thotë se në bisedime të mundshme duhet të merren parasysh “realitetet e reja” që janë formuar nga forcat e saj në terren.