Putini thotë se Rusia s’do të përkulet kurrë para presionit të ShBA-së
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se vendi i tij nuk do të përkulet asnjëherë para presionit të Shteteve të Bashkuara, por pranoi se sanksionet e reja mund të shkaktojnë ca dhimbje ekonomike, pas raportimeve se Kina dhe India do t’i pakësojnë importet e naftës ruse, pasi Uashingtoni i vuri në shënjestër të masave ndëshkuese dy kompanitë më të mëdha ruse të naftës.
Kreu i Kremlinit të enjten i përshkroi sanksionet e reja amerikane si “akt jomiqësor që nuk bën asgjë për t’i forcuar marrëdhëniet ruso-amerikane” dhe “përpjekje për t’i bërë presion Rusisë”, që, sipas tij, është e kotë, shkruan gazeta “The Guardian”.
“Asnjë shtet që ka respekt për veten nuk bën asnjëherë asgjë nën presion” – tha më tej Putini para gazetarëve rusë.
Edhe pse tha se sanksionet e reja nuk do të kenë ndikim domethënës ndaj Rusisë, ai pranoi se “disa humbje janë të pritshme”.
Putini shtoi se homologu i tij amerikan, Donald Trump, duhet “të mendojë për atë se për kë është duke punuar vërtet administrata e tij”, kur këshilltarët e shtyjnë që t’i vendosë sanksione naftës ruse dhe paralajmëroi se ky vendim do të çojë në rritje të çmimeve.
Presidenti rus gjithashtu e paralajmëroi Trumpin për një kundërpërgjigje “shumë të fortë, nëse jo dërrmuese”, nëse Rusia sulmohet me raketa amerikane “Tomahawk”, të cilat Ukraina ka qenë duke i kërkuar – deri më tani pa sukses – nga Uashingtoni.
Me sanksionet e reja amerikane, shteteve dhe kompanive të huaja u ndalohet biznesi me prodhuesit e mëdhenj rusë të naftës dhe ata shkëputen nga një pjesë e konsiderueshme e sistemit financiar ndërkombëtar.
Të enjten pati shenja të hershme se dy klientet e mëdha të naftës ruse, India dhe Kina, do t’i pezullonin importet e tyre si reagim ndaj sanksioneve të reja amerikane.
Sektori i naftës dhe gazit përbën rreth një të pestën e prodhimit vendës bruto (GDP) të Rusisë dhe një rënie e papritur e kërkesës nga dy blerësit kryesorë të naftës ruse do të ishte goditje shkatërruese ndaj të hyrave të Kremlinit nga nafta, por edhe do t’i rriste çmimet globale./Nacionale