Putini thotë se Rusia po avancon shpejt - me kilometra - në lindje të Ukrainës - NACIONALE

Putini thotë se Rusia po avancon shpejt - me kilometra - në lindje të Ukrainës

2 javë më parë

nga NACIONALE

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha të hënën se forcat e vendit të tij janë duke avancuar më shpejt në lindje të Ukrainës se që kanë përparuar për një kohë të gjatë, duke marrë nën kontroll disa kilometra katrorë në ditë.

Forcat ruse, që kanë nën kontroll 18 për qind të territorit të Ukrainës, kanë qenë duke avancuar që nga dështimi i kundërsulmit ukrainas vitin e kaluar për të shënuar rezultate domethënëse, raporton agjencia “Reuters”.

Pavarësisht nga hyrja e trupave ukrainase në rajonin Kursk të Rusisë duke filluar nga 6 gushti, ushtria ruse, më e fuqishme numerikisht, në javët e fundit ka qenë duke bërë shtytje relativisht shpejt nëpër vendbanime në lindje të Ukrainës, afër qytetit me rëndësi strategjike, Pokrovsk.

“Ne nuk kemi pasur ritëm të tillë të ofensivës në Donbas për një kohë të gjatë” – iu tha Putini nxënësve të Shkollës së Mesme Nr. 20 në Kyzyl, Tuva, rreth 4.500 kilometra në lindje të Moskës.

“Tani nuk po flasim për lëvizje 200 ose 300 metra përpara… Forcat e armatosura ruse tashmë po marrin territore nën kontroll jo me 200 – 300 metra por me kilometra katrorë” – shtoi kreu i Kremlinit.

Disa blogerë ushtarakë pro-rusë thanë të hënën se forcat ruse ishin duke luftuar tani në qytezat lindore ukrainase, Selydove dhe Ukrainsk. Nuk pati koment të menjëhershëm nga Ukraina për avancimin e raportuar të rusëve.

Yuri Podolyaka, bloger ushtarak pro-rus me ndikim, tha se beteja intensive po zhvilloheshin në Selydove, rreth 20 kilometra në jug të Pokrovskut, dhe në Ukrainsk, rreth 14 kilometra në jug të Selydoves.

Ai shtoi se të dyja palët ishin duke shtyrë forca drejt betejave për këto qyteza, që para luftës kishin nga 20 mijë, përkatësisht 10 mijë banorë./Nacionale

Lajme të ngjashme