Putini thotë se Rusia ka fshirë borxhe të Afrikës me vlerë të 23 miliardë dollarëve - NACIONALE

Putini thotë se Rusia ka fshirë borxhe të Afrikës me vlerë të 23 miliardë dollarëve

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha të premten se vendi i tij ka fshirë borxhe të shteteve afrikane me vlerë të 23 miliardë dollarëve.

Duke folur në samitin Rusi – Afrikë në Shën Petersburg, Putini tha se 90 për qind e borxheve të shteteve afrikane janë zgjidhur dhe se nuk ka më borxhe të drejtpërdrejta, por disa obligime financiare, raporton agjencia “Anadolu”.

Putini theksoi se vëmendja e Rusisë ndaj Afrikës është duke i rritur në mënyrë të qëndrueshme dhe se kjo është e dukshme në planet për ta shtuar praninë diplomatike në këtë kontinent.

“Ky është një hap i vërtetë praktik për ta shpeshtuar punën në masë të dukshme me shtetet afrikane në sferat politike, biznesore, humanitare, kulturore dhe të turizmit”- tha presidenti rus.

Sipas tij, Rusia e përkrah edhe përfaqësimin e mëtejmë të shteteve afrikane në Këshillin e Sigurimit dhe në organe të tjera të OKB-së.

“Roli politik dhe ekonomik i Afrikës është duke u rritur në mënyrë eksponenciale, kontinenti po bëhet qendër e re e fuqisë, të cilën secili do të duhet ta ketë parasysh”- shtoi Putini.

Ai e përmendi nismën afrikane për paqe në Ukrainë si shembull i ngritjes së rolit politik të kontinentit. “Kjo në vete thotë shumë, sepse më parë secili mision ndërmjetësimi monopolizohej ekskluzivisht nga shtetet me të ashtuquajturën demokraci të zhvilluar”- tha presidenti rus.

Sipas Putinit, situata në shumë rajone afrikane mbetet e paqëndrueshme për shkak të trashëgimisë së periudhës kolonialiste dhe politikës “përçaj e sundo”, që është ndjekur nga Perëndimi.

Putini shtoi se zhvillimi i Afrikës pengohet nga terrorizmi, përhapja e ideologjive ekstreme, krimi transnacional dhe piratëria.

Lajme të ngjashme