Putini thotë se Rusia është gati për bisedime për t’i dhënë fund tragjedisë në Ukrainë
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se Moska është gati për bisedime për t’i dhënë fund tragjedisë së luftës në Ukrainë, por ka fajësuar një ligj ukrainas se i ndalon bisedimet.
Putini e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar, duke shkaktuar qindra mijëra viktima e shkatërrim të vendit. Trupat ruse dyshohen për masakra në disa vende si Bucha, raporton gazeta “The Guardian”.
Kreu i Kremlinit e shfrytëzoi fjalimin e tij në një takim të Grupit G20 për të thënë se është e nevojshme që të mendohet se si të ndalet tragjedia e konfliktit në Ukrainë dhe se Rusia kurrë nuk kishte refuzuar që të merrte pjesë në bisedime të paqes me Ukrainën.
Në anën tjetër, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në tetor të vitit të kaluar nënshkroi një dekret me të cilin u shpall “e pamundshme” çfarëdo mundësie për bisedime të Ukrainës me Putinin, por e la të hapur derën për negociata me Rusinë.
Putini e shfrytëzoi këtë fjalim edhe për të diskutuar çështje më të gjera gjeopolitike, duke thënë se një pjesë e madhe e aktivitetit ekonomik është duke u vendosur në Azi dhe Afrikë.
Ai shtoi se Rusia ka dërguar drithë në Afrikë falas dhe e theksoi gatishmërinë e vendit të tij për të kontribuuar në qëllimet globale për klimën dhe zhvillimin – fjalë që do të interpretohen gjerësisht si përpjekje për t’i shpërndarë zonat ruse të ndikimit më tej në hemisferën jugore të planetit.
