Putini thotë se Rusia do ta mposhtë Ukrainën - NACIONALE

Putini thotë se Rusia do ta mposhtë Ukrainën

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Presidenti Vladimir Putin i Rusisë tha të enjten se vendi i tij do ta mposhtë Ukrainën në fushëbetejë, nëse është e nevojshme, por është i gatshëm t’i japë fund luftës përmes diplomacisë dhe të respektojë kompromise të pasaktësuara, për të cilat tha se ka pajtim me homologun amerikan, Donald Trump.

Duke folur para redaktorëve të mediave të huaja në margjinat e forumit ekonomik vjetor të Rusisë, Putini nuk shfaqi shenja të ndryshimit të qëndrimit të tij se Ukraina duhet ta dorëzojë pjesën e mbetur të rajonit lindor të Donbasit, të cilin Rusia nuk e ka plotësisht nën kontroll, në mënyrë që lufta të përfundojë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Ofensiva po vazhdon në bazë ditore. Tash për tash, Federata Ruse e ka marrë kontrollin e plotë të Republikës Popullore të Luhanskut – 100 për qind, dhe ka vënë nën kontrollin e saj më shumë se 85 për qind të territorit të Republikës Popullore të Donetskut” – tha Putini.

“Ne sigurisht se jemi të përgatitur dhe të gatshëm për të arritur një marrëveshje me Ukrainën përmes mjeteve paqësore. Më saktësisht, mbi bazën që e diskutuam gjatë takimit tonë me presidentin Trump në Anchorage [Alaskë]. Rusia pajtohet me ato kompromise që i diskutuam në Anchorage. Edhe pala ukrainase duhet të pajtohet me ato kompromise. Pastaj, konflikti shpejt do të arrijë në një fund të natyrshëm” – shtoi kreu i Kremlinit.

Putini gjithashtu tha se Rusia ende nuk e ka përdorur raketën hipersonike “Oreshnik” kundër Ukrainës në kushte të vërteta lufte, por vetëm e kishte testuar për t’i vëzhguar rezultatet me qëllim që të merren vendime për përdorimin e shkallës së plotë në të ardhmen, përfshirë përdorimin kundër caqeve urbane.

Raketa Oreshnik, të cilën Rusia për herë të parë e hodhi në drejtim të Ukrainës në vitin 2024, mund të bartë kokë bërthamore dhe ka rreze veprimi prej më shumë se 5 mijë kilometrash.

Putini ka thënë në të kaluarën se është e pamundshme që kjo raketë të pengohet, edhe pse ekspertët perëndimorë e kanë vënë në pikëpyetje pohimin e tij./Nacionale

Lajme të ngjashme