Putini thotë se është gati për kompromis me Trumpin rreth luftës në Ukrainë - NACIONALE

Putini thotë se është gati për kompromis me Trumpin rreth luftës në Ukrainë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha të enjten se ai është i gatshëm për të bërë kompromis rreth Ukrainës në bisedime të mundshme me homologun e ri amerikan, Donald Trump, për ta përfunduar luftën dhe se forcat ruse janë duke lëvizur drejt arritjes së qëllimeve të tyre kryesore në fushën e betejës.

Trumpi, që i fitoi zgjedhjet presidenciale të nëntorit në ShBA, është zotuar se do t’i japë shpejt fund luftës, por nuk ka dhënë ende ndonjë hollësi se si mund ta arrijë këtë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Duke pranuar pyetje nga gazetarët gjatë paraqitjes vjetore, kreu i Kremlinit i tha një gazetari të një televizioni amerikan se ai është i gatshëm për ta takuar Trumpin, me të cilin tha se nuk kishte folur me vite.

Kur u pyet se çfarë mund të jetë në gjendje për t’i ofruar Trumpit, Putini e hodhi poshtë pohimin se Rusia ndodhet në pozitë të dobët, duke thënë se vendi i tij është bërë shumë më i fortë që nga koha e fillimit të luftës me Ukrainën më 2022.

“Ne kemi thënë gjithmonë se jemi të gatshëm për bisedime dhe kompromise” – tha presidenti rus, pasi fillimisht deklaroi se forcat ruse po avancojnë në mbarë vijën e frontit dhe se janë duke lëvizur drejt arritjes së qëllimeve të tyre kryesore në Ukrainë.

“Së shpejti, ata ukrainas që do të duan të luftojnë do të harxhohen, sipas mendimit tim, së shpejti nuk do të mbetet askush që dëshiron të luftojë. Ne jemi gati, por pala tjetër duhet të jetë e gatshme edhe për bisedime, edhe për kompromise” – paralajmëroi kreu i Kremlinit.

Agjencia “Reuters” raportoi muajin e kaluar se Putini ishte i hapur për të diskutuar një marrëveshje armëpushimi për Ukrainën me Trumpin, por përjashtonte çfarëdo koncesioni të madh territorial dhe këmbëngulte që Kievi të hiqte dorë nga anëtarësimi në NATO./Nacionale

Lajme të ngjashme