Putini thotë se e parapëlqen Bidenin para Trumpit në mandatin e ri pas zgjedhjeve në ShBA - NACIONALE

Putini thotë se e parapëlqen Bidenin para Trumpit në mandatin e ri pas zgjedhjeve në ShBA

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se ai do të zgjedhe më parë një presidencë të Joe Bidenit para asaj të Donald Trumpit para zgjedhjeve presidenciale në ShBA në nëntor të këtij viti.

Sipas kreut të Kremlinit, Bideni ka më shumë përvojë dhe është person më i parashikueshëm. Komentet e tij pritet të shkaktojnë befasi, raporton televizioni BBC.

Para se Trumpi të garonte për president të Shteteve të Bashkuara më 2016, Putini e kishte çmuar atë si “të shquar e të talentuar”.

Në anën tjetër, presidenti i tanishëm amerikan ka qenë kritikues i ashpër i homologut rus, duke e quajtur madje “vrasës” para fillimit të pushtimit të Ukrainës.

Duke folur në një intervistë në televizionin rus të mërkurën, Putini tha se udhëheqësia e Bidenit do të ishte më e mirë për Rusinë, sepse ai është “person më me përvojë, ai është i parashikueshëm, ai është politikan i formacionit të vjetër”.

Putini i hodhi poshtë pyetjet rreth moshës dhe shëndetit mendor të Bidenit dhe shtoi se kur ishin takuar për herë të fundit më 2021, ai nuk kishte vërejtur asgjë të veçantë.

“Edhe atëherë [para tre vjetëve], njerëzit thoshin se ai ishte i paaftë, por unë nuk pashë asgjë të këtij lloji. Po, ai vazhdonte t’i shikonte letrat e tij, por, të jem i sinqertë, edhe unë e bëja të njëjtën gjë. Pra, nuk kishte asgjë të veçantë” – tha presidenti rus.

Më tej, Putini qartësoi se Rusia do të punonte me këdo që “e fiton besimin e publikut amerikan” dhe që i fiton zgjedhjet presidenciale.

Sidoqoftë, ai nuk pati vetëm fjalë të mira për homologun amerikan. Dënimin e luftës në Ukrainë nga Bideni e cilësoi “tepër të dëmshëm e të gabuar”.

Para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016 në ShBA, Trumpi kishte thënë se ai dhe Putini “do të kalonin shumë mirë mes vete”.

Ish-presidenti amerikan shkaktoi reagime të shumta rishtazi, duke thënë se do ta “inkurajonte” Rusinë që të sulmonte secilin shtet të NATO-s që dështon për ta përmbushur pragun financiar të aleancës prej 2 për qind të prodhimit vendës bruto.

Si kundërpërgjigje, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, kërkoi nga Trumpi që të mos e “minojë” garancinë për siguri kolektive të aleancës.

Lajme të ngjashme