Putini thotë se do t’i vazhdojë sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, është zotuar për vazhdimin e sulmeve ndaj sistemeve energjetike të Ukrainës pavarësisht nga kritikat globale për sulmet që kanë lënë miliona njerëz pa energji elektrike dhe ujë buzë dimrit.
“Ka shumë zhurmë për sulmet tona ndaj infrastrukturës së energjisë së një shteti fqinj. Po, ne e bëjmë atë, por kush e filloi”, citohet të ketë thënë presidenti rus në një ceremoni për ndarje të shpërblimeve në Kremlin, raporton agjencia franceze e lajmeve, AFP. Ai shtoi se kritikat “nuk do të ndërhyjnë në misionet tona luftarake”.
Presidenti rus i paraqiti sulmet si kundërpërgjigje ndaj një shpërthimi në urën e Krimesë dhe ndaj sulmeve të tjera, duke e akuzuar Kievin për bombardim të linjave të rrymës nga centrali i energjisë bërthamore në Kursk dhe për mosofrimin e furnizimit me ujë për Donetskun, në lindje të Ukrainës.
“Mosfurnizimi me ujë i një qyteti me mbi një milion njerëz është akt gjenocidi”- tha presidenti rus.
Ai e akuzoi Perëndimin për “heshtje të plotë” për këtë dhe për paragjykim ndaj Rusisë, raporton gazeta “The Guardian”.
“Posa ne lëvizim dhe bëjmë diçka si kundërpërgjigje, përhapet zhurmë e potere nëpër tërë universin”- tha presidenti rus.
Rusia është akuzuar se sulmet e saj ndaj sistemeve energjetike dhe ndaj industrisë së infrastrukturës në Ukrainë përbëjnë krime lufte.
Ndërkohë një zyrtar ukrainas ka thënë se rreth 10 mijë pjesëtarë të shërbimit ushtarak dhe përafërsisht 10 mijë civilë ukrainas janë duke u mbajtur në qendrat ruse të ndalimit.
Oleksandr Kononenko tha se civilët po mbahen në mënyrë të paligjshme si të burgosur të luftës për shkak të dyshimeve për lidhjet e tyre me ushtrinë ose shtetin ukrainas.
Edhe pse Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq nuk i është dhënë qasje e plotë, zyrtarët e tij kanë vizituar disa të burgosur ukrainas.
Kremlini ka thënë se Krimea, gadishull i aneksuar nga Rusia më 2014, është në rrezik nga sulmet e forcave ukrainase, pasi zyrtarët atje thanë se kanë rrëzuar një dron afër një baze detare.

