Putini paralajmëron se Rusia mund të ofrojë armë për t’u sulmuar Perëndimi
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka paralajmëruar se vendi i tij mund të armatosë shtete me qëllim të kryerjes së sulmeve ndaj caqeve perëndimore.
Kreu i Kremlinit e bëri këtë deklaratë, përderisa e kritikoi furnizimin e Ukrainës me armë me rreze të gjatë nga Perëndimi, raporton televizioni BBC.
Disa shtete, përfshirë Shtetet e Bashkuara, ia kanë dhënë Ukrainës dritën e gjelbër për të sulmuar caqe brenda territorit të Rusisë.
Putini u tha gazetarëve të huaj se një veprim i tillë mund të çojë në “probleme shumë serioze”.
“Nëse dikush mendon se është e mundshme që të jepen armë të tilla në një zonë lufte për ta sulmuar territorin tonë dhe për të krijuar probleme për ne, pse ne nuk e kemi të drejtën për t’u ofruar armë të klasës së njëjtë rajoneve të botës ku do të ketë sulme ndaj objekteve të ndjeshme të atyre shteteve. Që do të thotë, kundërpërgjigjja mund të jetë asimetrike. Ne do të mendojmë për këtë” – paralajmëroi presidenti rus.
Ai nuk saktësoi se cilat shtete mund t’i furnizojë me armë Rusia.
Sidoqoftë, e zuri në gojë në veçanti Gjermaninë, shtet që rishtazi i tha Ukrainës se është e lirë për të goditur caqe brenda Rusisë me armë gjermane me rreze të gjatë.
“Kur ata thonë se do të ketë më shumë raketa që do të godasin caqe në territorin rus, kjo përfundimisht i shkatërron marrëdhëniet ruso-gjermane” – tha Putini.