Putini paralajmëron për konflikt global, nëse Franca dërgon trupa në Ukrainë
Presidenti rus, Vladimir Putin, e paralajmëroi Perëndimin të martën se anëtarët e NATO-s në Evropë po luajnë me zjarr përmes propozimit që Ukrainës t’i lejohet përdorimi i armëve perëndimore për të sulmuar thellë brenda Rusisë. Kreu i Kremlinit tha se kjo mund të nxisë një konflikt global.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i tha gazetës “The Economist” se anëtarët e aleancës duhet ta lejojnë Ukrainën që të sulmojë thellë në Rusi me armë perëndimore, pikëpamje e mbështetur nga disa shtete anëtare, por jo nga Shtetet e Bashkuara, raporton agjencia “Reuters”.
“Eskalimi i vazhdueshëm mund të çojë te pasoja serioze. Nëse këto pasoja serioze ndodhin në Evropë, si do të sillen Shtetet e Bashkuara, duke e pasur në mendje barazinë tonë në fushën e armëve strategjike” – tha presidenti rus para gazetarëve në Tashkent.
“Është vështirë të thuhet – a duan ata një konflikt global” – pyeti kreu i Kremlinit.
Më tej, Putini tha se për sulme ukrainase ndaj Rusisë me armë me rreze të gjatë do të nevojiteshin satelitët, inteligjenca dhe ndihma ushtarake nga Perëndimi, prandaj Perëndimi do të përfshihej drejtpërdrejt. Ai shtoi se dërgimi i trupave franceze në Ukrainë do të ishte një hap drejt një konflikti global.
Duke folur për shtetet evropiane të NATO-s, Putini tha se vendet e vogla atje “duhet të jenë të vetëdijshme se me çfarë po luajnë”, pasi ato kanë sipërfaqe të vogël tokësore dhe popullsi shumë të dendur.
“Ky është një faktor që ato duhet ta mbajnë në mendje para se të flasin për të sulmuar thellë në territorin rus” – tha më tej presidenti rus.
Ukraina thotë se duhet të jetë në gjendje që të godasë brenda vijave ruse, përfshirë territorin sovran të Rusisë, për t’iu kundërvënë sulmeve ruse.
Megjithatë, zyrtarë rusë thonë se durimi i Moskës po harxhohet pas sulmeve të përsëritura ukrainase ndaj qyteteve ruse, rafinerive të naftës e, ditëve të fundit, edhe kundër elementeve të sistemit të saj për paralajmërim të hershëm bërthamor.