Putini nesër do ta nënshkruajë aneksimin e katër rajoneve të Ukrainës në Rusi
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do të marrë pjesë të premten në një ceremoni për nënshkrimin formal të aneksimit të katër zonave në Ukrainë pas zhvillimit të referendumeve, të cilat nga Ukraina dhe Perëndimi janë cilësuar si të rreme.
Zyrtarët e përkrahur nga Rusia më parë kanë pretenduar se në referendumet pesëditore është siguruar përkrahje pothuajse e plotë nga ata që morën pjesë në votim, ndonëse procesi nuk është vëzhguar nga vëzhgues të pavarur.
Të ashtuquajturat referendume u mbajtën në dy rajonet lindore – Luhansk e Donetsk – dhe në dy rajonet jugore – Zaporizhia e Kherson, shkruan BBC.
“Referendumet” u realizuan në një pikë kthese në konfliktin shtatë mujor, pasi kundërsulmet e shpejta nga Ukrainë lëvizën në mënyrë dramatike vrullin në fushën e betejës, larg nga presidenti Putin – i cili si përgjigje pritet të përshkallzojë pushtimin.
Kjo do të thotë se “votat” – dhe rezultatet false që pritet të shpallen nga Rusia, janë një hap i rëndësishëm në përpjekjet e Rusisë për të rimarrë kontrollin në Ukrainë.
Çfarë po ndodh në pjesët e pushtuara të Ukrainës?
Sipas udhëheqësve separatistë, katër zona të Ukrainës, të okupuara nga Rusia kanë votuar për bashkimin me Rusinë. Sondazhet, të cilat janë në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar, mund të hapin rrugën për aneksimin rus të zonave.
"Rezultati" i votave ndoshta u vendos shumë më përpara se të hidheshin fletëvotimet. “Referendumet e Rusisë janë një mashtrim – një pretekst i rremë për të tentuar të aneksojë pjesë të Ukrainës me forcë në shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare, duke përfshirë Kartën e Kombeve të Bashkuara”, tha presidenti amerikan Joe Biden javën e kaluar.
Votimet, të cilat u zhvilluan gjatë pesë ditëve nga e premtja, u thirrën nga zyrtarë pro-rusë në republikat e vetëshpallura të Donetsk dhe Luhansk në lindje, dhe në pjesët e kontrolluara nga Rusia të Kherson dhe Zaporizhzhia në jug të Ukrainës. Së bashku, të katër rajonet përbëjnë rreth 18% të territorit të Ukrainës.
Këtë herë, disa rajone planifikojnë të shpallin rezultatet e tyre më shpejt se të tjerët. Votimi ishte planifikuar të përfundonte të martën. Autoritetet në Luhansk thanë se do të shpallin rezultatet një ditë pas përfundimit të votimit, ndërsa në Kherson, autoritetet do të presin pesë ditë pas mbylljes së votimit.