Putini kërkon nga inteligjenca ruse që ta mbrojë më mirë sektorin e energjisë - NACIONALE

Putini kërkon nga inteligjenca ruse që ta mbrojë më mirë sektorin e energjisë

2 javë më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, të martën e urdhëroi agjencinë ruse për inteligjencë të brendshme, FSB, që ta përforcojë mbrojtjen e infrastrukturës së energjisë dhe transportit si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të forcave ukrainase, të cilat, sipas tij, po kryhen me ndihmën e inteligjencës perëndimore.

Duke folur me rastin e 4-vjetorit të fillimit të luftës në Ukrainë, Putini tha se armiqtë e Rusisë do të pendohen, nëse e shtyjnë fort Moskën, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Ata nuk ia dolën që t’i shkaktonin disfatë strategjike Rusisë në fushën e betejës, prandaj armiku po mbështetet te terrori individual dhe masiv. Këtu përfshihen bombardimi i qyteteve, sabotimi i infrastrukturës dhe vrasjet në tentativë ndaj zyrtarëve qeveritarë e ushtarakë” – tha presidenti rusë para zyrtarëve të FSB-së.

“Është një nevojë absolute për ta mposhtur Rusinë. Ata po e kërkojnë secilën mënyrë, çfarëdo qoftë. Ata do ta shtyjnë veten deri në një pikë ekstreme, e pastaj do të pendohen” – shtoi Putini.

Ukraina vazhdimisht ka sulmuar depo nafte, rafineri dhe porte në Rusi gjatë luftës, por Moska e fajëson edhe për vrasjen e figurave të larta ushtarake.

Putini la të kuptohej se në shënjestër të sulmeve mund të jenë gypat rus të energjisë nën Detin e Zi.

Ai dha urdhër që “të forcohet mbrojta anti-terroriste e infrastrukturës së energjisë dhe transportit dhe vendet e tubimeve publike, të ofrohet mbulim maksimal për objektet kritike dhe, nëse është e nevojshme, ato të pajisen me masa shtesë të sigurisë”./Nacionale

Lajme të ngjashme