Putini i urdhëron luftëtarët e “Wagner”-it që ta nënshkruajnë betimin e besnikërisë ndaj Rusisë - NACIONALE

Putini i urdhëron luftëtarët e “Wagner”-it që ta nënshkruajnë betimin e besnikërisë ndaj Rusisë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti rus, Vladimir Putin, i ka urdhëruar luftëtarët e grupit “Wagner” që të nënshkruajnë një betim për besnikëri ndaj shtetit rus pas aksidentit fatal të një aeroplani nga i cili besohet se ka vdekur shefi i grupit, Yevgeny Prigozhin.

Putini e nënshkroi dekretin për këtë ndryshim me efekt të menjëhershëm të premten, pasi Kremlini tha se sugjerimet perëndimore që Prigozhini ishte vrarë me urdhër të Rusisë janë “rrenë absolute”. Kremlini refuzoi që përfundimisht ta konfirmonte vdekjen e Prigozhinit, duke e përmendur nevojën që të priten rezultatet e testimit të trupave.

Masa e detyrueshme e Putinit për betimin e punëtorëve të grupit “Wagner” dhe të kontraktorëve të tjerë privatë ushtarakë është lëvizje e qartë për vendosjen e grupeve të tilla nën kontroll të rreptë shtetëror, raporton agjencia “Reuters”.

Dekreti, i publikuar në uebfaqen e Kremlinit, detyron secilin që kryen punë në emër të ushtrisë ose në përkrahje të atij që Moska e quan “operacion special ushtarak” në Ukrainë që të betohet në një betim zyrtar për besnikëri ndaj Rusisë.

I përshkruar në dekret si hap për formimin e bazave shpirtërore e morale të mbrojtjes së Rusisë, teksti i betimit përfshin një rresht me të cilin nënshkruesit premtojnë se do t’i ndjekin në mënyrë të prerë urdhrat e komandantëve dhe të udhëheqësve të lartë.

Politikanë dhe komentues perëndimorë kanë sugjeruar, pa paraqitur dëshmi, se Putini ka dhënë urdhër për vrasjen e Prigozhinit si hakmarrje për kryengritjen e qershorit kundër udhëheqësisë ushtarake ruse.

Kur zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u pyet të premten nëse Kremlini kishte marrë konfirmim zyrtar për vdekjen e Prigozhinit, ai tha: “Nëse e keni dëgjuar me kujdes deklaratën e presidentit rus, ai tha se të gjitha testet e nevojshme, përfshirë testet gjenetike, do të kryhen tani. Rezultatet zyrtare – porsa ato të jenë të gatshme për t’u publikuar – do të publikohen.”

Ai shtoi se nuk është e qartë se sa do të zgjatin hetimet dhe publikimi i testimit, prandaj është e pamundshme që të thuhet nëse Putini do të marrë pjesë në funeralin e Prigozhinit.

Lajme të ngjashme