Putini i gatshëm ta ndihmojë Trumpin në bisedimet me Iranin, thotë Kremlini
Presidenti rus, Vladimir Putin, i ka thënë homologut amerikan, Donald Trump, se ai është i gatshëm ta shfrytëzojë marrëdhënien e afërt të Rusisë me Iranin që ta ndihmojë kreun e Shtëpisë së Bardhë në bisedimet për programin bërthamor të Iranit, tha të enjten Kremlini.
Pas një telefonate me Putinin të mërkurën, Trumpi tha se Iranit po i harxhohet koha për të marrë një vendim rreth programit bërthamor dhe se ai beson që Putini pajtohet që Republika Islamike nuk duhet të ketë armë bërthamore, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Sipas presidentit amerikan, Putini sugjeroi se ai mund të marrë pjesë në diskutimet me Iranin dhe se “ai ndoshta do të mund të ishte i dobishëm që kjo të çohet në një përmbyllje të shpejtë”, edhe pse Irani “po ec ngadalë”.
“Ne kemi marrëdhënie të ngushta partnere me Teheranin dhe, natyrisht, presidenti Putin tha se ne jemi të gatshëm që ta përdorim këtë nivel partneriteti me Teheranin me qëllim që t’i lehtësojmë dhe të kontribuojmë në bisedimet që po zhvillohen për ta zgjidhur çështjen e dosjes bërthamore të Iranit” – tha para gazetarëve të enjten zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Kur u pyet nëse Putini mund të bëhet pjesë e bisedimeve, Peskovi tha se dialogu me Teheranin dhe Uashingtonin vazhdon përmes kanaleve të ndryshme.
“Presidenti [Putin] do të jetë në gjendje që të përfshihet, kur të jetë e nevojshme” – shtoi ai.
Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, tha të mërkurën se heqja dorë nga pasurimi i uraniumit është “100 për qind” kundër interesave të vendit, duke refuzuar një kërkesë kyçe të ShBA-së në bisedimet për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së vjetër me dekada për ambiciet bërthamore të Iranit.
Propozimi amerikan për një marrëveshje të re bërthamore iu paraqit Iranit të shtunën nga Omani, shtet që ka ndërmjetësuar në bisedimet mes ministrit të Jashtëm të Iranit, Abbas Araqchi, dhe emisarit të Trumpit për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff.
Pas pesë rundeve të bisedimeve, ende mbeten disa çështje të vështira për t’u zgjidhur, përfshirë këmbënguljen e Iranit për ta vazhduar pasurimin e uraniumit dhe refuzimin për t’i larguar nga vendi të gjitha rezervat e uraniumit të pasuruar në shkallë të lartë./Nacionale