Putini e paralajmëron Poloninë: Çdo sulm ndaj Bjellorusisë është sulm ndaj Rusisë
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e akuzoi të premten Poloninë se ka ambicie territorial në territorin e ish-Bashkimit Sovjetik dhe tha se çfarëdo agresioni kundër Bjellorusisë do të konsiderohej sulm ndaj Rusisë.
Rusia do të reagonte ndaj çfarëdo agresioni ndaj Bjellorusisë “me të gjitha mjetet në dispozicionin tonë”, tha presidenti rus në një takim të Këshillit të Sigurisë të Rusisë, raporton agjencia “Reuters”.
Sipas Putinit, ka raportime të mediave për plane që një njësi polako-lituane të përdoret për operacione në pjesën perëndimore të Ukrainës – disa pjesë të së cilës në të kaluarën i takonin Polonisë – dhe që përfundimisht të pushtohet territor atje.
“Është mirë e njohur se ata ëndërrojnë edhe për toka bjelloruse”- shtoi presidenti rus, pa dhënë ndonjë dëshmi.
“Por përderisa bëhet fjalë për Bjellorusinë, ajo është pjesë e Shtetit Union (me Rusinë). Nisja e agresionit kundër Bjellorusisë do të nënkuptojë agresion kundër Federatës Ruse. Ne do t’i kundërpërgjigjemi kësaj me të gjitha mjetet që janë në dispozicionin tonë”- tha më tej Putini.
Polonia mohon që ka ndonjë ambicie territoriale ndaj Bjellorusisë.
Komiteti i Sigurisë i Polonisë vendosi të mërkurën që disa njësite ushtarake të vendosen në pjesën lindore të vendit, pasi disa pjesëtarë të grupit rus të mercenarëve, “Wagner”, arritën një Bjellorusi.
Të mërkurën, shefi i këtij grupi, Yevgeny Prigozhin, u pa në një video duke i mirëpritur luftëtarët e tij në Bjellorusi e duke u thënë se nuk do të merrnin më pjesë tash për tash në luftën e Ukrainës, por i urdhëroi që ta grumbullonin forcën për Afrikë, përderisa e trajnojnë ushtrinë bjelloruse.
Të enjten, Bjellorusia tha se mercenarët e grupit “Wagner” kishin nisur që t’i trajnonin forcat speciale bjelloruse në një zonë ushtarake afër kufirit me Poloninë.
