Putini e bën vizitën e parë në Kursk për herë të parë nga pretendimi për rimarrjen e rajonit
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e vizitoi Kurskun për herë të parë që nga koha kur Moska pretendoi se e kishte rimarrë tërësisht rajonin rus pas një ofensive të befasishme nga forcat ukrainase vitin e kaluar, raportoi të mërkurën agjencia shtetërore ruse e lajmeve, TASS.
Putini u takua me udhëheqës komunalë në qytetin Kurchatov dhe e vizitoi centralin bërthamor të Kurskut, i cili aktualisht është duke u ndërtuar, tha Kremlini, raporton televizioni CNN.
Në një video të publikuar nga mediat shtetërore ruse shihet Putini i veshur në kostum me disa njerëz që dukej se ishin vullnetarë lokalë.
Agjencia ruse e lajmeve nuk tregoi se kur ndodhi vizita e Putinit në rajonin jugperëndimor.
Në gushtin e vitit të kaluar, Ukraina nisi një ofensivë të befasishme në Kursk, duke kapur shpejt një pjesë territori në atë që ishte pushtimi i parë tokësor i Rusisë nga një fuqi e huaj që nga Lufta e Dytë Botërore.
Prej asaj kohe, Rusia, me mbështetjen e ushtarëve nga Koreja e Veriut, ka qenë duke luftuar për dëbimin e forcave ukrainase nga rajoni kufitar, ndërsa Kievi përdori burime të çmuara për ta mbajtur territorin nën kontroll me qëllim të shfrytëzimit të tij si përparësi në bisedimet e mundshme të paqes.
Muajin e kaluar, Putini pretendoi se forcat ruse e kishin rimarrë Kurskun dhe tha se ushtarë nga Koreja e Veriut morën pjesë në luftime për ta rikapur rajonin kufitar.
Sidoqoftë, Ukraina javën e kaluar tha se ende ishte duke zhvilluar luftime tokësore brenda Rusisë./Nacionale