Putini diskuton me ministren nga Koreja e Veriut për fuqizimin e lidhjeve
Ministrja e Jashtme e Koresë së Veriut, Choe Son Hui, u takua të hënën në Kremlin me presidentin rus, Vladimir Putin, për të diskutuar rreth fuqizimit të bashkëpunimit, raportojnë mediat shtetërore koreanoveriore.
“Shumë projekte të së ardhmes për ta fuqizuar dhe zhvilluar vazhdimisht” marrëdhënien dypalëshe u diskutuan gjatë takimit, raportoi agjencia shtetërore KCNA, transmeton agjencia “Reuters”.
Vizita vjen në kohën e shtimit të shqetësimeve ndërkombëtare për bashkëpunimin mes dy vendeve, në të cilin Penjani po i ofron Moskës ushtarë dhe artileri për luftën në Ukrainë në këmbim të asistencës në teknologji ushtarake nga Rusia.
Choe gjithashtu zhvilloi bisedime me homologun rus, Sergei Lavrov, dhe arriti marrëveshje për të gjitha pikat gjatë diskutimeve strategjike rreth çështjeve globale, sipas agjencisë KCNA.
Gjatë bisedimeve të ministres koreane me Lavrovin, pala koreanoveriore e shprehu mbështetjen për masat ruse që “të largohet rrënja e konfliktit të Ukrainës”.
Në anën tjetër, pala ruse e shprehu mbështetjen për përpjekjet e Koresë së Veriut për t’i mbrojtur interesat e veta të sigurisë dhe të drejtat sovrane, raporton agjencia KCNA.