Putin: Rusia nuk do luftë me Evropën, por nëse ajo do, jemi gati tash
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se vendi i tij nuk dëshiron luftë me Evropën, por “nëse Evropa dëshiron që të zhvillojë luftë, ne jemi gati tani”.
Ai i akuzoi udhëheqësit evropianë se po i pengojnë propozimet e Shteteve të Bashkuara për paqe në Ukrainë dhe këmbënguli se ata “nuk kanë agjendë paqësore”, raporton gazeta “The Guardian”.
Presidenti rus bëri të ditur se “kërkesat evropiane janë të papranueshme për Rusinë”. “Evropa po e parandalon administratën amerikane që ta arrijë paqen për Ukrainën” – akuzoi ai.
Putini nuk saktësoi se cilat kërkesave evropiane në lidhje me Ukrainën cilësohen të papranueshme nga Rusia.
Sidoqoftë, komentet e tij duket se e kishin për qëllim futjen e një pyke mes Uashingtonit e vendeve evropiane, të cilat e kanë mbështetur Kievin gjatë propozimit të rishikimit të planit 28-pikësh të paqes, të paraqitur më herët nga kontaktet ShBA – Rusi. Plani përmban pika që e favorizojnë në mënyrë dramatike Moskën.
Presidenti rus paralajmëroi se forcat e vendit të tij “do t’i shtojnë sulmet ndaj porteve ukrainase dhe ndaj cilësdo anije që hyn në to” si kundërpërgjigje ndaj sulmeve ukrainase kundër anijeve transportuese ruse të naftës.
Në anën tjetër, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, për homologun rus tha: “Tani ai po mendon se si të gjejë arsye të reja për të mos i dhënë fund kësaj lufte”.
Ai tha se llogarit në presionin nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera për t’i avancuar më tej bisedimet e paqes.
Zelensky po zhvillon vizitë në Dublin të Irlandës./Nacionale