Putin, Modi dhe Erdoğan mes liderëve në Kinë për bisedime me Xi
Xi Jinping dhe Vladimir Putin u takuan në krah të një samiti madhor në Kinë që synon të sfidojë blloqet e udhëhequra nga ShBA dhe të dominuara nga perëndimi, dhe në të cilin po marrin pjesë udhëheqës nga më shumë se dy dhjetëra vende.
Liderët kinez dhe rus, të cilët janë të lidhur ngushtë nën atë që e kanë quajtur një partneritet “pa kufij”, diskutuan takimin e fundit të Putinit me Donald Trump, sipas një zyrtari të Kremlinit, i cili nuk dha detaje të tjera.
Takimi dypalësh ishte një nga disa për Xi të dielën, i cili po pret samitin vjetor të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO) në Tianjin. SCO është një bllok prej 10 shtetesh euroaziatike, dhe në samit po marrin pjesë gjithashtu liderët e 16 vendeve vëzhguese ose “partnerë dialogu”.
Xi i mirëpriti personalisht disa liderë, përfshirë kryeministrin indian Narendra Modi dhe presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan, përpara se delegatët të merrnin pjesë në një pritje zyrtare.
Në pritjen e mirëseardhjes, Xi tha se në shekullin e kaluar ka pasur një “rritje të ndjeshme të paqëndrueshmërisë, pasigurisë dhe faktorëve të paparashikueshëm”, dhe se SCO është bërë një “forcë e rëndësishme në promovimin e ndërtimit të një tipi të ri marrëdhëniesh ndërkombëtare dhe një komuniteti me të ardhme të përbashkët për njerëzimin”.
Pamjet e publikuara nga media shtetërore ruse treguan Xi dhe Putinin, të cilët mbërritën në Tianjin me një shpurë politikanësh të lartë dhe përfaqësuesish biznesi, duke e përshëndetur ngrohtësisht njëri-tjetrin para fotografëve, përpara se të thërrisnin një përkthyes për një bisedë të gjatë dhe të gjallë.
Pritet që Putini dhe disa të tjerë të qëndrojnë edhe për paradën ushtarake në Pekin të mërkurën, me rastin e 80-vjetorit të përfundimit të luftës së dytë botërore, të cilën Kina e quan lufta e rezistencës kundër agresionit japonez. Pritet që edhe lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, të marrë pjesë.
Samiti në Tianjin është më i madhi i mbajtur nga ky bllok që nga krijimi i tij në vitin 2001. SCO është një pjesë kyçe e përpjekjes së Pekinit për alternativa shumëpalëshe më të forta ndaj blloqeve perëndimore ose të udhëhequra nga SHBA, si NATO.
Putini i tha agjencisë shtetërore kineze Xinhua të shtunën se takimi i SCO do të “forcojë solidaritetin” mes shteteve euroaziatike dhe “do të ndihmojë në formësimin e një rendi botëror shumëpolar më të drejtë”.
Ky synim duket se është ndihmuar nga trazirat e shkaktuara prej regjimit të tarifave të Trump dhe veprimeve të tjera të politikës së jashtme. Takimi mes Modit dhe Xit ndodhi pesë ditë pasi Uashingtoni vendosi tarifa ndëshkuese prej 50% mbi mallrat indiane, për shkak të blerjeve të naftës ruse nga Delhi.
Ky është vizita e parë e Modit në Kinë pas shtatë vitesh, dhe vjen mes përpjekjeve të Kinës dhe Indisë për të rindërtuar lidhjet tregtare dhe për të zgjidhur mosmarrëveshjet e gjata kufitare në Himalaje.
“Ne jemi të përkushtuar të zhvillojmë marrëdhëniet tona mbi bazën e respektit të ndërsjellë, besimit dhe ndjeshmërisë,” tha Modi pas takimit me Xi.
Xi tha se marrëdhëniet Kinë-Indi mund të jenë “të qëndrueshme dhe afatgjata” nëse të dy palët fokusohen ta shohin njëra-tjetrën si partnere në vend të rivaleve, raportoi media shtetërore.
Në një takim me Erdoğanin, Xi tha se Kina dhe Turqia duhet të forcojnë bashkëpunimin në fushën e kundër-terrorizmit, sipas medias shtetërore kineze. Xi gjithashtu u takua me liderët e Maldiveve, Azerbajxhanit, Kirgistanit dhe liderin autokratik të Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, një aleat kyç i Putinit.
Bisedimet dypalëshe u zhvilluan në Shtëpinë e Mysafirëve në Tianjin, një vend intim i rrethuar nga gjelbërim i harlisur. Pjesë të mëdha të Tianjinit ishin mbyllur për qarkullimin e makinave dhe një prani e madhe policore ishte vendosur rreth qytetit.
Lim Chuan-Tiong, studiues në Institutin për Studime të Avancuara mbi Azinë në Universitetin e Tokios, tha se takimi i radhës mes Putinit dhe Xit ishte një shenjë e vazhdimit të partneritetit të tyre “pa kufij”, dhe mbylljes së radhëve teksa të dy përballen me një armik të përbashkët – SHBA-në.
“Për sa kohë që kundërshtari i përbashkët \[SHBA] nuk është mposhtur, bashkëpunimi pa kufij mes Kinës dhe Rusisë do të mbetet,” tha Lim. “Bashkëpunimi i tyre gjithashtu shërben për të nxjerrë në pah një rend botëror që ekziston përtej Shteteve të Bashkuara.”