Putin: Kapja e Pokrovskit do t’ia mundësojë ushtrisë ruse avancimin e mëtejmë - NACIONALE

Putin: Kapja e Pokrovskit do t’ia mundësojë ushtrisë ruse avancimin e mëtejmë

1 javë më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se kapja e qytezës kyçe ukrainase, Pokrovsk, do t’ia mundësonte ushtrisë së vendit të tij që të vazhdonte me detyra të tjera në operacionet e ofensivës në Ukrainë, raportojnë agjencitë ruse të lajmeve.

“Ky është një drejtim i rëndësishëm. Ne të gjithë e kuptojmë sa i rëndësishëm. Ai do të sigurojë zgjidhje për të shkuar përpara drejt detyrave që ne fillimisht i caktuam në nisje të operacionit special ushtarak” – citohet të ketë thënë Putini të dielën gjatë vizitës në një pikë komande, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Rusia e quan “operacion special ushtarak” pushtimin e Ukrainës, të cilin e nisi në mënyrë të plotë në shkurtin e vitit 2022.

“Forcat e armatosura të Rusisë me besim po e mbajnë iniciativën dhe vazhdojnë që t’i kryejnë detyrat e operacionit. Forcat ruse janë duke avancuar pothuajse në të gjitha drejtimet” – shtoi presidenti rus.

Sipas tij, Ukraina nuk po ia del që të reagojë ndaj avancimeve të ushtrisë ruse, duke i theksuar sukseset e regjistruara në rajonin Zaporizhia.

Në komentet e tij, Putini gjithashtu pretendoi se forcat ukrainase kanë pësuar humbje të rënda gjatë luftimeve dhe ato i përshkroi si “tragjedi e popullit ukrainas”.

Lajme të ngjashme