Publikohen mijëra dosje të vrasjes së ish-presidentit amerikan John F. Kennedy
Shtëpia e Bardhë ka urdhëruar publikimin e dokumenteve për vrasjen e ish-presidentit amerikan John F.Kennedy, por ka bërë të ditur se disa të tjera do të vazhdojnë të jenë të mbyllura.
Pas lëshimit të një urdhëri ekzekutiv nga presidenti Biden për zbulimin e tyre, në internet janë publikuar rreth 12,879 dokumente që kanë të bëjnë më vrasjen e presidentit.
“Në përputhje me drejtimin tim, agjencitë kanë ndërmarrë një përpjekje gjithëpërfshirëse për të shqyrtuar grupin e plotë prej pothuajse 16,000 regjistrimesh që ishin lëshuar më parë në formë të redaktuar dhe përcaktuan se më shumë se 70 për qind e atyre regjistrimeve tani mund të publikohen plotësisht”, ka shkruar presidenti Biden në urdhrin e tij, duke shtuar se, “ky zbulim i rëndësishëm pasqyron angazhimin e administratës sime për transparencë dhe do t'i ofrojë publikut amerikan një pasqyrë dhe kuptim më të madh të hetimit të qeverisë për këtë ngjarje tragjike në historinë amerikane."
Ndërkohë, një zëdhënëse e Biden ka thënë se publikimi përbën rreth 97% të të gjithë informacionit që qeveria ka në arkivat e saj.
Publikimi i këtyre dokumenteve të lidhura me atentatin e vitit 1963 ishte kërkuar nga qeveria me anë të një ligji në vitin 1992 ku thuhej se zbulimi i tyre duhet të bëhet deri në tetor 2017.
Vdekja e presidentit ka shkaktuar dekada me teori konspirative. Kujtojmë se Kennedy ishte qëlluar gjatë një vizite në Dallas, Teksas, ndërsa një hetim amerikan në vitin 1964 ka zbuluar se Kennedy është vrarë nga amerikani Lee Harvey Osëald, i cili kishte jetuar më parë në Bashkimin Sovjetik, dhe se ai kishte vepruar i vetëm.
