Pse tërmeti në Turqi është më vdekjeprurësi i shekullit?
Më shumë se 11 mijë persona janë raportuar të vdekur me dhjetëra mijëra të lënduar nga tërmeti shkatërrues që goditi Turqinë dhe Sirinë ditën e hënë.
Mijëra ndërtesa janë shembur në të dy vendet, ndërsa agjencitë e ndihmës kanë paralajmëruar për pasoja “katastrofike” në veriperëndim të Sirisë, ku miliona njerëz tashmë po mbështeteshin në ndihma humanitare për të mbijetuar.
E ndërkohë që përpjekjet masive për kërkim-shpëtim janë duke vazhduar, agjencitë kanë paralajmëruar se numri i viktimave mund të rritet ndjeshëm.
Çfarë dihet për këtë tërmet
Tërmeti i së hënës ishte një nga tërmetet më të fuqishme që ka goditur rajonin në një shekull, ndërsa ndodhi në orët e hershme të mëngjesit. Sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara, tërmeti goditi 23 kilometra në lindje të Nurdag, në provincën Gaziantep të Turqisë, në një thellësi prej 24.1 kilometrash.
Pas goditjes fillestare, rajoni u përfshi nga një seri pasgoditjesh tjera, me tërmetin tjetër të madh të regjistruar pas nëntë orësh, me magnitudë 7.5.
Ekipet e shpëtimit janë duke garuar me kohën për të nxjerrë të mbijetuarit nga rrënojat në të dy anët e kufirit, ndërsa sipas agjencisë së vendit për fatkeqësitë, në Turqi janë shembur më shumë se 5 mijë e 700 ndërtesa.
Tërmeti i së hënës ishte gjithashtu një nga më të fortët që ka përjetuar Turqia në shekullin e kaluar – tërmeti i fundit i regjistruar me magnitudë 7.8, kishte goditur në vitin 1939, duke rezultuar me vdekjen e 30 mijë personave.
Pse është ky tërmet kaq vdekjeprurës?
Që ky tërmet të jetë kaq vdekjeprurës kanë kontribuar një sërë faktorësh. Një prej tyre është koha që ka ndodhur, pasi me goditjen në orët e hershme të mëngjesit kur shumë njerëz ishin në gjumë, ata kanë mbetur të bllokuar nën rrënojat e shtëpive të tyre.
Për më tepër, me një sistem moti të ftohtë dhe të lagësht që ka përfshirë rajoni, kushtet e këqija e kanë bërë më të ndërlikuar arritjen e zonave të prekura dhe përpjekjet e shpëtimit dhe rikuperimit në të dy anët e kufirit janë bërë dukshëm më sfiduese.
E ndërsa, temperaturat tashmë janë shumë të ulëta, ato pritet që të ulen edhe disa gradë nën zero, ku me reshjet e shpërndara dhe dëborën në rajon që do të vazhdojnë, përveç urisë, njerëzit e bllokuar janë në rrezik edhe të hipotermisë.
Sa kohë mund të mbijetojnë njerëzit nën rrënoja?
Pavarësisht nga sfidat në rritje, një inxhinier strukturor dhe koordinator humanitar u ka kërkuar shpëtimtarëve të mos humbin shpresën pasi të mbijetuarit mund të gjendeshin deri në disa "javë" pas goditjes.
Pse ndodhin tërmetet?
Tërmetet ndodhin në çdo kontinent të botës - nga majat më të larta në malet Himalaje deri në luginat më të ulëta, si Deti i Vdekur, në rajonet e ftohta të Antarktidës. Megjithatë, shpërndarja e këtyre tërmeteve nuk është e rastësishme.
USGS e përshkruan një tërmet si “lëkundje e tokës e shkaktuar nga një rrëshqitje e papritur në një çarje. Sforcimet në shtresën e jashtme të tokës i shtyjnë anët e pllakave së bashku. Ndërsa rritet presioni dhe shkëmbinjtë rrëshqasin papritur, duke çliruar energji në valë që udhëtojnë nëpër koren e tokës dhe shkaktojnë lëkundjet që ndiejmë gjatë një tërmeti."
Tërmetet maten duke përdorur sizmografë, të cilët monitorojnë valët sizmike që udhëtojnë nëpër Tokë pas një tërmeti.
Sa i fuqishëm është një tërmet 7.8?
Fuqia e një tërmeti njihet si magnitudë. Intensiteti i lëkundjeve mund të ndryshojë në varësi të gjeografisë dhe topografisë lokale, dhe thellësisë së tërmetit. Në shkallën e madhësisë, çdo rritje e një numri të plotë përkthehet në 32 herë më shumë energji.
Me këtë rast, lëkundjet nga tërmeti me magnitudë 7.8 ballë në Turqinë jugore mund të ndiheshin deri në Izrael dhe Liban, qindra kilometra larg.
Turqia nuk është e panjohur për tërmetet e forta, pasi ajo është e vendosur përgjatë kufijve të pllakave tektonike. Në 25 vitet e fundit vendi është goditur nga shtatë tërmete me magnitudë 7.0 ose më shumë – por, tërmeti i së hënës ishte një nga më të fuqishmit.
Si krahasohet ky tërmet globalisht?
Në krahasim me tërmetet e tjera të mëdha në mbarë botën, është tërmeti prej 9.1 ballë dhe cunami në Japoni i vitit 2011 - në të cilin më shumë se 22,000 njerëz u vranë ose u zhdukën.
Në vitin 2010 u regjistrua një tërmet me magnitudë 7.0 në Haiti, ku vlerësohet se janë vrarë 220 mijë deri në 30 mijë persona.
Në vitin 2004, një tërmet me magnitudë të vlerësuar prej 9.1 ballë goditi bregdetin e Sumatrës, Indonezi, duke shkaktuar një cunami që la 227,898 njerëz të vdekur ose të listuar si të zhdukur.
Ndërkohë tërmeti më i fortë i regjistruar është ai i vitit 1960, prej 9.5 ballë në Kili.
