Pse qeveria e ShBA-së pezulloi urgjentisht qasjen te modelet e klasit 'Mythos' për shtetasit e huaj? - NACIONALE

Pse qeveria e ShBA-së pezulloi urgjentisht qasjen te modelet e klasit 'Mythos' për shtetasit e huaj?

2 muaj më parë

nga Flakon Demaku

Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka urdhëruar kompaninë Anthropic që të bllokojë përdorimin e dy modeleve të saj më të reja dhe më të mençura të inteligjencës artificiale: Claude Fable 5 dhe Claude Mythos 5.

Vendimi u mor përmes një direktive për kontrollin e eksporteve.

“Qeveria e SHBA-së, duke u mbështetur te kompetencat për sigurinë kombëtare, ka lëshuar një urdhër për kontrollin e eksporteve që pezullon çdo lloj qasjeje në modelet Fable 5 dhe Mythos 5 për të gjithë shtetasit e huaj, pavarësisht nëse ndodhen brenda apo jashtë Shteteve të Bashkuara. Këtu përfshihen edhe punonjësit e huaj të vetë kompanisë Anthropic.

Si pasojë e këtij urdhri, ne jemi të detyruar t'i çaktivizojmë menjëherë modelet Fable 5 dhe Mythos 5 për të gjithë klientët tanë, në mënyrë që të zbatojmë ligjin..” - thuhet në njoftim ndër tjera.

Urdhri u ndalon të gjithë shtetasve të huaj përdorimin e çfarëdo modeli të klasit 'Mythos', pavarësisht nëse jetojnë në Amerikë apo jashtë saj.

Kjo vlen madje edhe për punonjësit e huaj që punojnë brenda vetë kompanisë Anthropic. Për të qenë e sigurt që nuk po thyen ligjin, kompania vendosi t'i çaktivizojë 'Fable 5' për të gjithë, dhe jo vetëm për të huajt. Ndërkohë, modelet e tjera më të vjetra të "Claude" vazhdojnë të punojnë normalisht.

Kjo është hera e parë që qeveria amerikane ndërhyn direkt për të bllokuar direkt modele të avancuar të inteligjencës artificiale. Deri më sot, qeveria kishte bllokuar vetëm shitjen e pajisjeve fizike si çipat apo serverët.

Sipas Axios, qeveria amerikane kërkon tani leje të veçantë për të ndarë këto modele të inteligjencës artificiale me njerëz të huaj. Ky vendim u mor vetëm pak ditë pasi qeveria kërkoi që modelet e reja të inteligjencës artificiale të testohen shumë mirë për rreziqe përpara se t'i jepen publikut.

Krejt historia filloi më 7 prill, kur Anthropic prezantoi një bashkëpunim të quajtur "Project Glasswing", program i krijuar bashkë me gjigantë të tjerë të teknologjisë dhe financës si Apple, Google, Microsoft, Amazon e disa të tjerë.

Qëllimi i këtij projekti ishte ta përdorte modelin "Mythos" si mbrojtës nga sulmet kompjuterike. Anthropic tregoi se ky model ishte aq i zgjuar sa kishte gjetur mijëra pika të dobëta serioze në sisteme. Kompania tha madje se "Mythos" ishte më i aftë se shumica e ekspertëve njerëzorë për të zbuluar të çara në sigurinë e kibernetike.

Për të ndihmuar sigurinë në internet, Anthropic dhuroi rreth 100 milionë dollarë për t'u përdorur në këtë program dhe 4 milionë dollarë të tjera për të mbrojtur programet kompjuterike publike.

Por, ky projekt shkaktoi edhe mjaft frikë.

Në prill, doli një lajm se disa persona të paautorizuar dyshohej se kishin arritur të futeshin te sistemi i "Mythos" përmes një kompanie tjetër të jashtme. Anthropic tha asokohe se po e hetonte ngjarjen, por theksoi se sistemet e tyre kryesore ishin të sigurta.

Disa muaj më vonë, më 9 qershor, Anthropic u përpoq t’i bënte të qasshme klasin e modeleve ‘Mythos’.

Modeli "Fable 5" u nxor si një version më i sigurt për njerëzit e thjeshtë. Ndërsa modeli origjinal "Mythos 5", u mbajt i mbyllur vetëm për ekspertët dhe studiuesit e kualifikuar të sigurisë.

Dallimi i madh mes të dyve ishin masat e sigurisë.

Për shembull, "Fable 5" ishte i programuar të bllokonte menjëherë pyetjet e rrezikshme për hakerim kompjuterash ose krijim armësh biologjike e kimike. Kur dikush bënte këto pyetje, ai i kalonte te një model më i vjetër e më i dobët (Opus 4.8) që të mos ofronte njohuri të rrezikshme.

Në testet teknike, modeli "Fable" - i cili i përket klasit të modleve "Mythos" - doli me rezultate të jashtëzakonshme. Shumë herë më i aftë se modelet e fundit konkurruese si Opus 4.8, GPT-5.5 apo Gemini 3.1 Pro, sidomos për të krijuar softuerë.

Pikërisht ky nivel i lartë i bëri këto modele jo vetëm shumë të dobishme për t'u përdorur, por edhe shumë të rrezikshme nëse bien në duar të atyre që duan të bëjnë sulme në internet, sipas njohësve.

Qeveria amerikane e mbështeti vendimin duke u bazuar se ata dyshojnë se dikush ka gjetur një metodë për të anashkaluar filtrat e sigurisë së modelit "Fable 5". Megjithatë, kompania Anthropic thotë se qeveria iu ka treguar vetëm fjalë, pa prova konkrete të këtij problemi. Sipas kompanisë, ky është vetëm një problem i vogël.

Anthropic mbrohet duke thënë se ky problem zbulonte vetëm disa të meta të vogla që ishin tashmë të njohura. Ata theksojnë se edhe modele të tjera publike mund të bëjnë të njëjtën gjë pa ndonjë truk të veçantë. Kompania paralajmëron se, nëse ky përdoret si rregull standard, atëherë në të ardhmen çdo inteligjencë artificiale e re mund të bllokohet nga qeveria ende pa dalë në treg.

Ky vendim e ka vendosur shefin e Anthropic, Dario Amodei, në një situatë të sikletshme. Vetëm pak kohë më parë, ai vetë kishte thënë se qeveritë duhet ta kenë fuqinë për të bllokuar inteligjencën artificiale të pasigurt. Por ai kishte kërkuar që kjo të bëhet me rregulla të qarta e transparente, të bazuara në fakte dhe prova.

Në të njëjtin shkrim, Amodei kishte pranuar vetë se modele si "Mythos" po bëhen me rëndësi të jashtëzakonshme për mbarë botën. Sipas tij, tani për tani rreziku më i madh është ai i hakerimeve, ndërsa në të ardhmen inteligjenca artificiale mund të krijojë rreziqe duke u përdorur në biologji apo duke dalë jashtë kontrollit njerëzor.

Disa ekspertë sigurie thonë se "Mythos" mund t'ia bëjë punën shumë të lehtë kriminelëve kibernetikë. Thënë thjesht: duke përdorur këtë model, edhe njerëzit apo grupet pa shumë njohuri në kompjuter mund të gjejnë pika të dobëta dhe të hakerojnë sisteme të ndryshme.

Megjithatë, të tjerë ekspertë mendojnë se rreziku po zmadhohet. Ata besojnë se vetë kompanitë mund t'i ekzagjerojnë aftësitë e tyre thjesht për t'i bërë reklamë vetes dhe për t'i shitur më lehtë produktet si "shumë të fuqishme".

Eksperti i njohur i sigurisë, Bruce Schneier, thotë se "Mythos" nuk është rasti i vetëm. Edhe kompani të tjera po krijojnë sisteme shumë të zgjuara që mund të gjejnë dobësi në softuerë. Sipas tij, këto modele do të jenë po aq të dobishme për mbrojtësit sa ç'do të jenë edhe për sulmuesit (hakerët).

Lajme të ngjashme