Pse po duhen muaj që tanket perëndimore të arrijnë në vijat e frontit në Ukrainë?
Gjashtë tanke Leopard 2 u larguan nga Spanja dhe do të arrijnë në Ukrainë në më pak se një javë, tha këtë fundjavë ministrja spanjolle e Mbrojtjes Margarita Robles. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara do të fillojnë trajnimin e forcave ukrainase në tanket e tyre Abrams muajin e ardhshëm, duke kërkuar t'i fusin ato në fushën e betejës kundër Rusisë përpara fundit të verës.
Megjithatë, dhe me dërgesat dhe trajnimet në vazhdim, mjetet luftarake të dhuruara nga aleatët e NATO-s në Ukrainë nuk do të kenë një ndikim të menjëhershëm në luftën e saj me Rusinë, paralajmërojnë ekspertët.
Mirëmbajtja e tankeve, riparimi i tyre dhe furnizimi i pjesëve të nevojshme kërkon trajnim të detajuar nga ekuipazhet në automjete deri te shtegu i logjistikës që i mbështet ata, qindra ose ndoshta mijëra milje nga vijat e frontit në Ukrainën lindore, raporton CNN.
"Unë do të thosha se aftësia për të trajnuar ushtarët ukrainas për të mbështetur çdo tank që u jepet është pothuajse më e rëndësishme se lloji i tankut që ata përdorin," tha Nicholas Drummond, një analist i industrisë së mbrojtjes i specializuar në luftën tokësore dhe një ish-oficer i Ushtrisë Britanike.
Sfidat logjistike: Përveç kohës së nevojshme për të trajnuar luftëtarët, tanket duhet të mirëmbahen, thanë zyrtarët, që nënkupton menaxhimin e zinxhirit të furnizimit.
Për shkak se Abrams është i prodhuar nga Amerika, për shembull, ai ka "një rrjet logjistik shumë të gjatë që shtrihet deri në SHBA", tha Drew Thompson, studiues i lartë në Shkollën e Politikave Publike Lee Kuan Yew në Universitetin Kombëtar të Singaporit.
Komponentët kryesorë që konsumohen ose dëmtohen në betejë do të duhet të zëvendësohen me pjesë amerikane, të cilat do të duhet të dërgohen në një depo riparimi në Ukrainë ose ndoshta në Poloni, e cila është në proces të blerjes së flotës së saj të Abrams.
Thompson tha se Pentagoni është i mirë në zgjidhjen e çështjeve të vështira logjistike, "por rreziku është i lartë si për SHBA-në ashtu edhe për Ukrainën".
"Të jesh në gjendje të mbështesësh Leopardët nga një bazë logjistike evropiane është padyshim e preferueshme," tha Thompson, duke iu referuar modelit të tankeve të përdorura në 13 vende evropiane.