Protestuesit pro-palestinezë ia bllokojnë hyrjet gjigantit britanik të armëve: Ky e armatos gjenocidin
Dhjetëra protestues pro-palestinezë i bllokuan të premten hyrjet e fabrikës së armëve, “BAE Systems”, në juglindje të Anglisë, duke e vënë në shënjestër furnizuesin më të madh britanik të armëve për të bërë thirrje për t’i dhënë fund shitjes së armëve në Izrael.
Duke mbajtur në duar pankarta ku shkruhej “Ndalojeni armatosjen e Izraelit” dhe duke valëvitur flamuj palestinezë, rreth 50 persona qëndruan përballë hyrjes së fabrikës në Kent, ku prodhuesi i tston dhe i monton pajisjet elektronike që përdoren në aeroplanë ushtarakë e në sisteme vëzhgimi.
Dhjetëra protestues u grumbulluan para hyrjeve të tjera të prodhuesit, raporton agjencia “Reuters”.
Kompania tha se nuk eksporton drejtpërdrejt asnjë pajisje në Izrael, por ajo është furnizuese e pajisjeve për aeroplanët luftarakë amerikanë, F-35, të cilët përdoren nga Izraeli.
“Ne jemi të tmerruar nga situata në Izrael dhe Gaza dhe nga ndikimi shkatërrues që ajo është duke e pasur ndaj civilëve në rajon dhe shpresojmë që të mund të zgjidhet sa më shpejt që është e mundshme”- tha një zëdhënës i kompanisë.
“Ne e respektojmë të drejtën e secilit për të protestuar në mënyrë paqësore. Operojmë nën rregulloret më të rrepta dhe u përmbahemi plotësisht të gjitha kontrolleve të zbatueshme të eksportit të mbrojtjes, që janë subjekt i vlerësimit të vazhdueshëm”- shtoi ai.
Protesta në fabrikën britanike erdhi pas veprimeve të sindikatave të punëtorëve në Belgjikë e Spanjë, të cilët kanë refuzuar që t’i trajtojnë dërgesat e materialit ushtarak të destinuar për luftën në Gaza.
