Protesta të dhunshme kundër Izraelit në Berlin, lëndohen 20 policë - NACIONALE

Protesta të dhunshme kundër Izraelit në Berlin, lëndohen 20 policë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Sindikata e policisë gjermane, GdP, ka thënë se 20 policë janë lënduar gjatë protestave të dhunshme në përkrahje të palestinezëve e kundër Izraelit në kryeqytetin e Gjermanisë, Berlin.

Të mërkurën në mbrëmje, në Berlin pati skena të dhunshme, pasi njerëzit u grumbulluan në një protestë të paregjistruar kundër hebrenjve.

Policia raportoi për sulme brutale ndaj policëve, përfshirë sulmet me shishe, gurë e mjete pirotektike. Forcat e sigurisë u detyruan që të përdornin një kamion me ujë për ta shpërndarë turmën, raporton gazeta "Bild".

“Fotografitë nga mbrëmja e kaluar qartazi tregojnë se ne jemi duke i përjetuar efektet e një lufte fetare në rrugët e kryeqytetit dhe se shërbimet tona emergjente po bëhen caqe të fanatizmit fetar”- tha udhëheqësi rajonal i sindikatës së policisë, Stephan Weh.

Ai paralajmëroi: “Ky fanatizëm do të vazhdojë të eskalojë, përderisa situata ushtarake në Lindje të Mesme përkeqësohet.”

Në mbrëmje, më shumë se 300 persona u grumbulluan në mënyrë spontane në Portën e Brandenburgut. Ata fillimisht mbajtën një ceremoni nga ora 21 e 15 minuta, që përfundoi në orën 21 e 50 minuta.

Megjithatë, pas përfundimit të kësaj ceremonie, protestuesit kundër Izraelit u munduan që të shkonin në Sheshin “18 Marsi”. Sipas dëshmitarëve, protestuesit u bënë gjithnjë më agresivë dhe në mënyrë masive e sulmuan policinë. “Edhe shërbimet tona emergjente u sulmuan”- shkroi policia e Berlinit në rrjetin X.

Pas disa thirrjeve me altoparlant që njerëzit të shpërndaheshin, tubimi i paautorizuar përfundoi. Megjithatë, rreth orës 23 e 20 minuta, pati grumbullim të njerëzve në distriktin Neukolln, të cilët, mes tjerash, vendosën objekte në rrugë dhe ua vunë flakën atyre.

Policia përdori kamionë me ujë për ta shuar zjarrin. Shërbimet emergjente u sulmuan me gurë. Kamion me ujë u përdor edhe kundër protestuesve.

Edhe zjarrfikësit thanë se u sulmuan me mjete piroteknike dhe se disa skuterë elektrikë, barrikada e hapësira për lojëra të fëmijëve ishin duke u djegur.

Siç ka mësuar e përditshmja “Bild”, policia ka arrestuar disa persona. Operacioni zgjati deri rreth orës 2 të mëngjesit, ndërsa pastaj situata u qetësua.

Lajme të ngjashme