Propozime konkrete për Ukrainën tani ose ShBA-ja tërhiqet si ndërmjetëse, thotë Rubio - NACIONALE

Propozime konkrete për Ukrainën tani ose ShBA-ja tërhiqet si ndërmjetëse, thotë Rubio

1 vit më parë

nga NACIONALE

Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara, Marco Rubio, tha të martën se tani është koha për propozime konkrete nga Moska dhe Kievi për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe paralajmëroi se vendi i tij do të tërhiqet nga roli i ndërmjetësit, nëse nuk ka progres.

Në një takim të mëvonshëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, diplomati amerikan, John Kelley, e fajësoi Rusinë për gjakderdhjen e vazhdueshme, duke thënë se Moska “për keqardhje” ka kryer sulme të profilit të lartë “duke shkaktuar humbje të panevojshme të jetës, përfshirë civilë të pafajshëm”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Mu tani, Rusia ka një mundësi të mrekullueshme për të arritur paqe të qëndrueshme” – tha Kelley, duke shtuar se barra për përfundimin e luftës bie mbi Rusinë dhe Ukrainën.

“U përket udhëheqësve të të dyja këtyre shteteve që të vendosin nëse paqja është e mundshme. Nëse të dyja palët janë të gatshme për t’i dhënë fund luftës, Shtetet e Bashkuara do ta përkrahin plotësisht rrugën e tyre drejt paqes së qëndrueshme” – tha më tej diplomati amerikan.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce, e citoi Rubion të ketë thënë se ka ardhur koha në të cilën “propozime konkrete duhet të ofrohen nga të dyja palët për atë se si t’i jepet fund konfliktit”.

“Ajo se si vazhdojmë tutje nga ky moment është një vendim që tani i përket presidentit. Nëse nuk ka progres, ne do të tërhiqemi si ndërmjetës nga ky proces” – tha zonja Bruce në një konferencë të rregullt për gazetarë, duke iu referuar presidentit Donald Trump, i cili ka bërë përpjekje për ta siguruar marrëveshjen për përfundimin e luftës, por gjithashtu e ka bërë të qartë padurimin e tij.

Edhe Kievi, edhe Moska janë munduar që t’i dëshmojnë Trumpit se janë duke bërë progres drejt qëllimit të tij për një pakt të shpejtë të paqes pas kërcënimeve të përsëritura të ShBA-së për t’u tërhequr nga përpjekjet për paqe, por në Kombet e Bashkuara e fajësuan njëri-tjetrin për vazhdimin e luftës.

Presidenti rus, Vladimir Putin, të hënën shpalli armëpushim treditor në datat 8, 9 dhe 10 maj për ta shënuar 80-vjetorin e fitores së Bashkimit Sovjetik dhe aleatëve të tij në Luftën e Dytë Botërore./Nacionale

Lajme të ngjashme