Prokurori i GjNP-së kërkon urdhërarrest për kreun e qeverisë ushtarake të Mianmarit, Min Aung Hlaing
Prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GjNP), Karim Khan, tha të mërkurën se do të kërkojë urdhërarrest për udhëheqësin ushtarak të Mianmarit, Min Aung Hlaing, për krime kundër njerëzimit për shkak të përndjekjes së dyshimtë të komunitetit Rohingya, pakicë kryesisht myslimane në shtetin e Azisë Juglindore.
Një panel prej tre gjykatësish tani do të vendosë nëse ata pajtohen që ka “bazë të arsyeshme” për të besuar se gjenerali Hlaing bart përgjegjësi penale për dëbimin dhe përndjekjen e komunitetit Rohingya në Mianmar dhe Bangladesh, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Nuk ka kornizë kohore për vendimin e tyre, por përgjithësisht nevojiten rreth tre muaj që të merret vendim rreth lëshimit të një urdhërarresti.
Një zëdhënës i qeverisë ushtarake të Mianmarit nuk iu përgjigj thirrjeve për të dhënë koment menjëherë pas njoftimit.
Zyra e Prokurorit tha në një deklaratë se do të kërkojë urdhërarrest pas hetimeve të gjera, të pavarura dhe të paanshme.
Më shumë se 730 mijë myslimanë të komunitetit Rohingya kanë ikur në Bangladesh gjatë fushatës për të cilën hetues të OKB-së kanë thënë se është kryer me “qëllim gjenocidal”.
Autoritetet në Mianmar, ku shumica e popullsisë është budiste, i mohon akuzat për gjenocid dhe gjithmonë ka thënë se nuk i vë në shënjestër civilët, por se kryen operacione ushtarake kundër terroristëve./Nacionale