Prokurorët italianë po i hetojnë dyshimet për “turizëm snajperësh” gjatë Luftës së Bosnjës - NACIONALE

Prokurorët italianë po i hetojnë dyshimet për “turizëm snajperësh” gjatë Luftës së Bosnjës

3 javë më parë

nga NACIONALE

Prokurorët në Milano të Italisë kanë hapur një hetim për italianët që dyshohet se kishin paguar anëtarë të ushtrisë serbe të Bosnjës për të udhëtuar në Sarajevë në mënyrë që të vrisnin njerëz gjatë rrethimit 4-vjeçar të qytetit në vitet e nëntëdhjeta.

Më shumë se 10 mijë njerëz ishin vrarë në Sarajevë nga bombardimet e vazhdueshme dhe zjarri nga snajperët mes viteve 1992 e 1996 në atë që ishte rrethimi më i gjatë në historinë modern, pasi Bosnja e Hercegovina e kishte shpallur pavarësinë nga Jugosllavia, raporton gazeta “The Guardian”.

Snajperët ishin ndoshta elementi më i frikshëm për jetën nën rrethim në kryeqytetin boshnjak, për shkak se ata vinin në shënjestër njerëz në rrugë, përfshirë fëmijë, në mënyrë të rastësishme, sikur të ishin duke luajtur video-lojëra.

Grupe të italianëve e kombësive të tjera, të ashtuquajtur “turistë të snajperëve”, dyshohet se kanë marrë pjesë në masakër, pasi u kishin paguar shuma të mëdha të parave ushtarëve që i përkisnin ushtrisë së Radovan Karaxhiqit, ish-udhëheqës i serbëve të Bosnjës, i cili në vitin 2016 ishte shpallur fajtor për gjenocid dhe krime të tjera kundër njerëzimit. Turistët dërgoheshin në kodrat që e rrethojnë Sarajevën në mënyrë që të mund të qëllonin me armë drejt popullsisë për zbavitje.

Sarajeva shtrihet në një ultësirë të rrethuar me male, duke e bërë veçanërisht të lehtë rrethimin dhe sulmimin e saj.

Prokurorët në Milano, të udhëhequr nga Alessandro Gobbi, nisën një hetim me qëllim të identifikimit të italianëve të përfshirë në akuzat për vrasje të vullnetshme, e rënduar nga mizoria dhe motivet e ulëta.

Hetimi buron nga një ankesë ligjore e dorëzuar nga Ezio Gavazzeni, shkrimtar që ka grumbulluar dëshmi rreth këtyre pretendimeve, si dhe një raport që u është dërguar prokurorëve nga ish-kryetarja e Sarajevës, Benjamina Kariq.

Gavazzeni tha se i kishte lexuar fillimisht raportimet për turizmin e dyshimtë të snajperëve në shtypin italian në vitet e nëntëdhjeta, por filloi që të hulumtonte më tej vetëm kur e shikoi dokumentarin e vitit 2022, “Sarajevo Safari”, i realizuar nga producenti slloven, Miran Zupaniq.

Në këtë dokumentar, një ish-ushtar serb dhe një kontraktor pretendojnë se grupe të qytetarëve të vendeve perëndimore e qëllonin me armë popullsinë civile nga kodrat përreth Sarajevës. Pretendimet në këtë dokumentar janë mohuar fuqishëm nga veteranët serbë të luftës.

“Dokumentari Sarajevo Safari është pika fillestare. Unë e fillova korrespondencën me producentin dhe, nga ajo pikë, e zgjerova hulumtimin tim derisa mblodha material të mjaftueshëm për t’ua paraqitur prokurorëve të Milanos” – tha Gavazzeni.

Ai pretendoi se “shumë, shumë, shumë italianë” dyshohet se ishin të përfshirë, por nuk përmendi ndonjë numër. “Kishte gjermanë, francezë, anglezë... njerëz nga të gjitha vendet perëndimore që paguan shuma të mëdha parash për t’u dërguar atje e për të shtënë në civilë” – tha më tej shkrimtari italian.

“Nuk kishte motive politike apo fetare. Ata ishin njerëz të pasur që shkuan atje për zbavitje dhe kënaqësi personale. Po flasim për njerëz që i duan armët, të cilët ndoshta shkojnë për qitje në poligone ose në safari në Afrikë” – shtoi Gavazzeni, transmeton gazeta "Nacionale".

Ai pretendoi se të dyshuarit italianë takoheshin në qytetin verior të Italisë, Triestë, dhe udhëtonin për në Beograd, prej ku ushtarët serbë të Bosnjës i shoqëronin deri te kodrat e Sarajevës. “Kishte qarkullim të turistëve të luftës, të cilët shkonin atje për të shtënë në drejtim të njerëzve. Unë këtë e quaj indiferencë ndaj së keqes” – tha më tej shkrimtari italian.

Ai tha se kishte identifikuar disa individë italianë që dyshohet se ishin të përfshirë në këtë skemë dhe të cilët pritet të merren në pyetje nga prokurorët në javët në vijim.

Vdekjet ndoshta të profilit më të lartë nga zjarri i snajperëve ishin ato të Boshko Bërkiqit dhe Admira Ismiqit, çift i dokumentuar në filmin “Romeo e Zhulieta në Sarajevë”, të cilët ishin vrarë nga zjarri i snajperëve në vitin 1993, përderisa po mundoheshin të kalonin një urë. Trupat e tyre kishin mbetur për disa ditë në “tokën e askujt”, mes pozicioneve të forcave boshnjake e serbëve të Bosnjës. Fotografitë ishin shpërndarë gjerësisht dhe u bënë simbol i çnjerëzimit të luftës.

Lajme të ngjashme