Prodhuesi i veturës që Putini ia dha Kimit të Koresë Veriore përdor pjesë të Koresë Jugore
Duke qeshur e duke u tallur, presidenti rus, Vladimir Putin, dhe udhëheqësi i Koresë Veriore, Kim Jong-un, u shëtitën javën e kaluar nëpër Penjan me një limuzinë ruse “Aurus” për ta shfaqur aleancën e tyre të fuqizuar kundër Perëndimit.
Prodhimi i veturës luksoze synonte që t’i mishëronte zotësinë vendëse të Rusisë dhe varësinë e zvogëluar nga teknologjia dhe mallrat e improtuara,kur ajo ishte prezantuar më 2018, raporton agjencia “Reuters”.
Megjithatë, të dhënat e doganave tregojnë se kompania që e prodhon këtë limuzinë përdor pjesë të importuara me vlerë të miliona dollarëve, shumë prej tyre që vijnë nga shteti që Kimi i Veriut e ka përshkruar si “armik parësor”, Koreja Jugore.
Këto importe e shfaqin varësinë e vazhdueshme të Rusisë nga teknologjia perëndimore, përderisa po mundohet që t’i shmangë lëvizjet e Perëndimit për ta shkëputur nga zinxhiri furnizues global si ndëshkim për pushtimin e Ukrainës.
Rusia importoi pajisje dhe pjesë me vlerë të të paktën 34 milionë dollarëve mes viteve 2018 e 2023 për prodhimin e veturave e motoçikletave “Aurus”, sipas dokumenteve të doganës që i ka parë agjencia “Reuters”. Kjo agjenci nuk mundi të kishte qasje në të dhëna më të reja.
Në importe përfshiheshin pjesë të trupit të veturës, sensorë, kontrollues të programuar, pajisje për saldim dhe pjesë të tjera me vlerë të 15,5 milionë dollarëve të importuara nga Koreja Jugore. Disa pjesë ishin importuar edhe nga Kina, India, Turqia, Italia e vende të tjera të BE-së.
Furnizimet nga jashtë vazhduan për “Aurus”-in edhe pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës dhe vlera e mallrave ishte gati 16 milionë dollarë, përfshirë pesë milionë të mallrave të prodhuara në Kore Jugore, të importuara nga shkurti i vitit 2022, sipas të dhënave.
Agjencia “Reuters” nuk mund të përcaktonte saktësisht se cilat pjesë të importuara nga jashtë kanë përfunduar në veturën që iu dha dhuratë Kimit./Nacionale