Pritet borë e dendur në pjesët veriore e verilindore të Shteteve të Bashkuara
Një sistem moti që po intensifikohet pritet të sjellë borë të dendur ose shi në pjesët veriore dhe verilindore të Shteteve të Bashkuara të martën. Më shumë se 50 milionë amerikanë jetojnë në zonat ku është lëshuar udhëzim për stuhi dimërore.
Deri në 30 centimetra borë parashikohet të bien në Ultësirën e Ohios, Pensilvani, New York e New England, tha Ashton Robinson Cook, parashikues i motit në Qendrën e Parashikimit të Motit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Nëse nuk jeni të detyruar që të jeni në rrugë sot, qëndroni në shtëpi. Në zonat me borë të madhe, më së miri është që të mos udhëtohet, por nëse ju duhet që të dilni, jepini vetes shumë kohë shtesë” – tha Cook.
Mes 7 e 12 centimetra borë kishin rënë të martën herët në Indiana, Pensilvani, pjesën qendrore të Nju-Jorkut dhe në disa pjesë të New England-it, thanë parashikuesit. Reshjet pritej të vazhdonin gjatë tërë ditës.
Qindra shkolla nga Cincinnati deri në pjesën perëndimore të Pensilvanisë dhe në New Hampshire e Maine njoftuan mbylljen ose hapjen me vonesë.
Chad Merrill, meteorolog në kompaninë private për parashikimin e motit, “AccuWeather”, tha se mot dimëror pritet edhe më vonë gjatë kësaj jave.