Princi iranian në ekzil i bën thirrje botës që t’i ndihmojnë protestuesit për ta rrëzuar regjimin
I biri i shahut (mbretit) të fundit iranian, i cili ndodhet në ekzil, i ka bërë thirrje botës që t’i ndihmojë protestuesit për ta rrëzuar Qeverinë e Iranit, duke thënë se ka besim që “Republika Islamike do të bjerë – jo “nëse”, por “kur”.
Reza Pahlavi, udhëheqës opozitar që jeton në ShBA, bëri thirrje për “goditje kirurgjike” ndaj Rojave Revolucionare të Iranit, gjë që, sipas tij, do ta “lehtësonte detyrën tonë dhe do ta parandalonte humbjen e mëtejme të jetëve”, raporton televizioni BBC.
Më shumë se 2.000 protestues janë vrarë, sipas grupeve për të drejtat e njeriut, në protestat që nisën për shkak të gjendjes së dobët të ekonomisë më 28 dhjetor dhe u shndërruan në thirrje për fundin e pushtetit të liderit supret, Ali Hosseini Khamenei.
Pahlvai ka dalë si figurë me peshë në opozitën e përçarë iraniane dhe më parë u ka bërë thirrje iranianëve që t’i përshkallëzonin protestat e tyre.
Megjithatë, protestuesit janë ballafaquar me forcë vdekjeprurëse nga autoritetet, bashkë me një ndërprerje pothuajse të plotë të internetit dhe shërbimeve të tjera të komunikimit.
Duke folur të premten në një konferencë për gazetarë në Uashington, Pahlavi u zotua se do të kthehet në Iran dhe paraqiti një plan për hartimin e një kushtetute të re për vendin.
Ai pretendoi se disa pjesë të aparatit shtetëror të sigurisë kanë refuzuar që të marrin pjesë në shtypjen e protestave dhe se autoritetet iraniane kishin sjellë luftëtarë nga grupe të huaja militante për shtypjen e pakënaqësisë.
Kur u pyet për udhëheqjen e Iranit në të ardhmen, Pahlavi tha: “I përket popullit iranian që të vendosë.”/Nacionale