Princi Harry bën vizitë të befasishme në Ukrainë, premton ndihmë për të plagosurit - NACIONALE

Princi Harry bën vizitë të befasishme në Ukrainë, premton ndihmë për të plagosurit

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Princi Harry ka realizuar një vizitë të befasishme në Kiev pas ftesës nga Qeveria e Ukrainës. Ai tha se dëshiron që të bëjë “gjithçka që është e mundshme” për ta ndihmuar shërimin e mijëra ushtarëve që janë plagosur më parë gjatë luftës kundër Rusisë.

Gjatë vizitës në kryeqytetin ukrainas, Harry dhe ekipi i tij nga Fondacioni i Lojërave Invictus pritet të që ofrojnë hollësi për nismat e reja rreth përkrahjes së rehabilitimit të të plagosurve. Qëllimi përfundimtar është që të jepet ndihmë në të gjitha zonat e vendit, raporton gazeta “The Guardian”.

Më herët këtë vit u vlerësua se lufta në Ukrainë tashmë kishte lënë 130 mijë njerëz me aftësi të kufizuara të përhershme dhe Qeveria tani e ka vënë rehabilitimin përmes sportit në qendër të politikës së saj për ndihmë ndaj veteranëve.

Duke folur me gazetën “The Guardian” gjatë udhëtimit natën me tren drejt Kievit, Princi Harry tha: “Ne nuk mund ta ndalim luftën, por ajo që mund ta bëjmë është që të bëjmë gjithçka që mundemi për ta ndihmuar procesin e shërimit.”

“Ne vazhdojmë që t’i humanizojmë njerëzit e përfshirë në këtë luftë dhe atë nëpër të cilën ata janë duke kaluar” – shtoi Princi Harry.

Ai tregoi se fillimisht ishte ftuar për vizitë në Kiev nga Olga Rudnieva, themeluese dhe shefe ekzekutive e Qendrës së Traumës “Super-njerëzit” në Lviv, ku trajtohen personat që kanë pësuar amputime gjymtyrësh shkaku i luftës. Harry e kishte vizituar këtë qendër në prill, por u takua rastësisht me zonjën ukrainase para disa muajve në Shtetet e Bashkuara.

Gjatë qëndrimit në Ukrainë, Princi Harry pritet ta vizitojë Muzeun Kombëtar të Historisë së Ukrainës në Luftën e Dytë Botërore. Ai pritet të kalojë kohë me 200 veteranë, të cilët gjithashtu janë ftuar. Harry pritet të takohet edhe me kryeministren ukrainase, Yulia Svyrydenko./Nacionale

Lajme të ngjashme