Presidentja e Meksikës reagon pas kërcënimit të Trumpit me taksa
Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, tha të martën se do t’i dërgojë një letër presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, duke i bërë thirrje për dialog dhe bashkëpunim pas zotimit të tij për taksë prej 25 për qind ndaj mallrave nga Meksika dhe Kanadaja.
“Një taksë do të pasohet nga një tjetër e kështu me radhë, derisa t’i vëmë në rrezik bizneset tona të përbashkëta” – tha zonja Sheinbaum gjatë një konference të rregullt për gazetarë, duke paralajmëruar se taksat do të shkaktonin inflacion dhe humbje të vendeve të punës në të dyja vendet, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Presidentja meksikane tha se do t’i dërgonte letrën republikanit të rizgjedhur në Shtëpinë e Bardhë më vonë gjatë ditës.
Trumpi e bëri zotimin për taksa të hënën në mbrëmje, duke e fajësuar Meksikën se nuk po bën më shumë për ta ndalur arritjen e drogave të paligjshme dhe imigrantëve pa dokumente në kufirin mes dy vendeve.
Taksat mund të përbëjnë shkelje të Marrëveshjes ShBA – Meksikë – Kanada (USMCA), të cilën shtetet e kishin nënshkruar në vitin 2020, kur Trumpi ishte president në mandatin e parë.
Vlera e pezosit meksikan ra për reth 1,3 për qind në tregtinë e hershme të martën.
Presidentja Sheinbaum tha se administrata e saj gjithmonë e kishte shfaqur gatishmërinë e Meksikës për ta ndihmuar luftën kundër epidemisë së fentanilit në ShBA dhe se ndalimi i imigrantëve në kufi ka shënuar ulje dhe se në kufirin e përbashkët nuk po arrinin më karvane imigrantësh.
Megjithatë, ajo theksoi se grupet kriminale në Meksikë ende po pranojnë armë nga ShBA-ja. Sipas presidentes meksikane, për sfidat e përbashkëta të rajonit kërkohen bashkëpunimi, dialogu dhe mirëkuptimi i ndërsjellë./Nacionale