Presidentja e Meksikës i dërgon letër kompanisë “Google” shkaku i emrit të Gjirit
Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, i ka dërguar një letër kompanisë amerikane “Google” për ta kontestuar vendimin e gjigantit teknologjik për ta respektuar urdhrin e presidentit të ShBA-së, Donald Trump, për t’ia ndryshuar emrin Gjirit të Meksikës e për t’ia bërë “Gjiri i Amerikës”.
Zonja Sheinbaum ua tregoi letrën gazetarëve të enjten, duke thënë: “Në rastin e Meksikës, ku jemi ne plotësisht sovranë? Në zonën e vendosur si 12 milje detare nga bregdeti dhe kjo vlen për të gjitha shtetet në mbarë botën”, raporton televizioni CNN.
“Nëse një shtet dëshiron që ta ndryshojë emërtimin e diçkaje në det, ajo do të vlente vetëm deri në 12 milje detare. Ajo nuk mund të vlejë për pjesën tjetër, në këtë rast, për Gjirin e Meksikës. Kjo është ajo që ne ia shpjeguan kompanisë “Google” në hollësi” – tha presidentja meksikane.
Duke iu referuar një kundërpropozimi që ia kishte bërë Trumpit për ta riemërtuar ShBA-në, zonja Sheinbaum tha: “Në fund, ne kërkuam që kur dikush të kërkojë me fjalët “America Mexicana” në makinën e kërkimit, duhet të shfaqet harta që ne e paraqitëm më parë”. Ajo hartë e vitit 1607 përshkruan pjesë të Amerikës së Veriut si “Amerika Meksikane” dhe ishte shfaqur gjatë një konference për gazetarë më herët këtë muaj.
Të hënën, kompania “Google” tha se përdoruesit e hartave të saj “Google Maps” në ShBA do të shohin të riemërtuar Gjirin e Meksikës, me emrin “Gjiri i Amerikës”. Kompania tha se ky vendim është në vijë me “praktikën e zbatimit të ndryshimit të emrave, kur ata janë përditësuar në burimet zyrtare qeveritare”.
Sidoqoftë, përdoruesit në Meksikë do të vazhdojnë që ta shohin emërtimin Gjiri i Meksikës në “Google Maps”. Pjesa tjetër e botës do t’i shohë të dyja emërtimet./Nacionale