Presidenti palestinez i bën thirrje Hamasit që t’i dorëzojë armët - NACIONALE

Presidenti palestinez i bën thirrje Hamasit që t’i dorëzojë armët

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, i bëri thirrje Hamasit të mërkurën që t’i dorëzojë armët tek Autoriteti Palestinez, të heqë dorë nga përgjegjësia për qeverisjen e Gazës dhe të shndërrohet në parti politike.

Hamasi muajt e fundit i ka refuzuar thirrjet nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara që t’i dorëzojë armët e veta, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Abbas-i i bëri komentet në një fjalim gjatë një takimi në qytetin e Bregut Perëndimor, Ramallah, në të cilin ai pritet të emërojë një pasardhës, pjesë e përpjekjeve për t’iu përgjigjur dyshimeve ndërkombëtare rreth zbatueshmërisë së Autoritetit Palestinez në një moment kritik për rajonin.

“Hamasi duhet t’i dorëzojë përgjegjësitë për Gazën dhe t’ia dorëzojë armët e veta përgjegjësisë së Autoritetit Palestinez dhe të transformohet në një parti politike” – tha presidenti palestinez.

Ai e ka kritikuar sulmin e udhëhequr nga Hamasi kundër Izraelit më 7 tetor 2023, për të cilin ka thënë se i ka ofruar Izraelit një pretekst për ta shkatërruar Gazën.

Hamasi, i cili i kundërshton përpjekjet e Abbas-it për bërje të paqes me Izraelin, e ka akuzuar atë për shtypje të grupeve militante në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli. Grupi nuk i komentoi menjëherë komentet e reja të presidentit palestinezë.

Abbas-i u bëri thirrje udhëheqësve botërorë që ta detyrojnë Izraelin që t’i japë fund luftës në Gaza, t’i tërheqë forcat e tij dhe t’u japë fund aktiviteteve rreth vendbanimeve hebreje, duke shtuar se nuk mund të ketë paqe derisa palestinezët ta themelojnë shtetin e tyre në kufijtë që ishin në fuqi para luftës së vitit 1967./Nacionale

Lajme të ngjashme