Presidenti i Sirisë: Ne frikësohemi nga Izraeli, s’i krijojmë probleme - NACIONALE

Presidenti i Sirisë: Ne frikësohemi nga Izraeli, s’i krijojmë probleme

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Presidenti i përkohshëm sirian, Ahmed al-Sharaa, paralajmëroi të martën se Lindja e Mesme ballafaqohet me një valë të re trazirash, nëse Izraeli nuk arrin një marrëveshje sigurie me vendin e tij, me të cilën do të mbrohej sovraniteti.

Ish-xhihadisti që i udhëhoqi forcat drejt rrëzimit të ish-presidentit sirian, Bashar al-Assad, po zhvillon një vizitë të rëndësishme në Nju-Jork në ditët e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Ai përsëri shprehu shpresë për arritjen e një marrëveshjeje të sigurisë me Izraelin, por e akuzoi vendin fqinj për ngecje të procesit dhe vazhdim të shkeljeve territoriale brenda Sirisë, shkruan gazeta "The Times of Israel".

“Ne nuk jemi ata që po krijojnë probleme për Izraelin. Ne frikësohemi nga Izraeli, jo anasjelltas” – tha ai në një organizim të Institutit të Lindjes së Mesme.

“Ka shumë rreziqe, kur Izraeli po shkakton ngecje në bisedime dhe po këmbëngul në shkeljen e hapësirës sonë ajrore dhe hyrjeve në territorin tonë” – shtoi Al-Sharaa.

Ai kundërshtoi çfarëdo negociate për ndarjen e Sirisë dhe tha se po i mbron interesat e pakicës druze të Sirisë.

“Jordania është nën presion dhe çfarëdo negociate për ndarjen e Sirisë do ta dëmtojë Irakun, do ta dëmtojë Turqinë”- tha më tej presidenti sirian.

Në një paraqitje të mëhershme, ai e minimizoi mundësinë për një marrëveshje më historike, me të cilën Siria do ta njihte Izraelin si shtet.

Lajme të ngjashme