Presidenti i Koresë Jugore e viziton Ukrainën, do të takohet me Zelenskyn - NACIONALE

Presidenti i Koresë Jugore e viziton Ukrainën, do të takohet me Zelenskyn

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Koresë Jugore, Yoon Suk Yeol, po e viziton Ukrainën të shtunën për të biseduar me homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky, njoftoi zyra e presidentit Korean.

Vizita e befasishme e udhëheqësit nga Azia Lindore erdhi pas pjesëmarrjes së tij në samitin e NATO-s në Lituani dhe pas qëndrimit të tij në Poloni këtë javë, ku shprehu solidaritet për Ukrainën dhe eksploroi mënyra për ta përkrahur luftën e saj kundër pushtimit rus, raporton agjencia “Reuters”.

Zyra e presidentit korean tha se Yoon-i e vizitoi vendin e vrasjes masive në Bucha, afër kryeqytetit Kiev, para se të shkonte në Irpin, zonë banimi që është sulmuar shumë me raketa. Pritet që presidenti të takohet me Zelensky-n më pas.

Aleate e Shteteve të Bashkuara dhe eksportuese në rritje e armëve, Koreja Jugore është ballafaquar me presion për t’i ofruar armë Ukrainës, por autoritetet kanë këmbëngulur për të dhënë ndihma humanitare e financiare, duke u treguar të kujdesshme për shkak të ndikimit të Rusisë në Kore Veriore.

Edhe pse vizita e Yoon-it nuk qe tërësisht e papritshme, ajo është “shumë domethënëse”, duke marrë parasysh se pak udhëheqës të tjerë aziatikë e kanë vizituar Ukrainën, tha Ramon Pacheco Pardo, udhëheqës i departamentit për Korenë në Shkollën e Brukselit për Qeverisje.

Nëse vizita e presidentit korean është sinjal i ndryshimit të politikës drejt ofrimit të përkrahjes më të shumtë për Ukrainën, mbetet të shihet, por kjo vizitë lë të kuptohet se Ukraina e ka miratuar ndihmën që Seuli ia ka dhënë deri më tani, shtoi profesori Pardo.

Kur dy presidentët u takuan në maj, Zelensky kërkoi nga homologu korean që ta shtonte përkrahjen ushtarake për Ukrainën.

Ministria e Tokës, Infrastrukturës dhe Transportit e Koresë Jugore tha të premten se planifikon që ta përkrahë rindërtimin e infrastrukturës së Ukrainës, përfshirë transportin, energjinë dhe industrinë.

Lajme të ngjashme