Presidenti i Komoreve pranon se synon t’ia lërë të birit pushtetin e partisë dhe të shtetit
Presidenti i Komoreve, Azali Assoumani, ka pranuar për herë të parë publikisht se synon t’ia dorëzojë pushtetin të birit të tij, Nour El Fath, kur të largohet nga pushteti më 2029, duke i konfirmuar akuzat e kritikëve se për një kohë të gjatë ka qenë duke e përgatitur djalin e vet për pushtet.
Assouami, fitorja e të cilit vitin e kaluar u njollos nga akuzat për mashtrim në zgjedhje, ia dha të birit detyrën e bashkërendimit të çështjeve qeveritare si dhe kompetenca të gjera mbi kabinetin, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Duke iu referuar kohës kur ai do të largohet nga pushteti, Assoumani tha të enjten në një fjalim para mbështetësve të tij në ishullin Moheli: “Unë do ta vendos të birin tim për të më zëvendësuar mua si udhëheqës i shtetit dhe i partisë.”
El Fath nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese të agjencisë “Reuters” për koment, por në të kaluarën ka thënë se Komoret, grup prej tre ishujsh në Oqeanin Indian, në lindje të Afrikës, nuk janë monarki.
Partia në pushtet e Assoumanit në mënyrë vendimtare i fitoi zgjedhjet parlamentare këtë muaj, edhe pse partitë opozitare ose i bojkotuan zgjedhjet, ose e refuzuan rezultatin, duke pretenduar për mashtrim.
“Me këtë deklaratë, ai vetëm e ka bërë zyrtare atë që ne tashmë e dinim, por Azali po e mashtron veten, populli dhe politikanët komoras nuk do ta pranojnë instalimin e një pushteti të dinastisë ose një monarki në Komore” – tha zëdhënësi i koalicionit opozitar, Abdallah Mohamed Daoudou.
Komoret kanë rreth 800 mijë banorë dhe janë ballafaquar me rreth 20 puçe ose puce në tentativë që nga fitimi i pavarësisë nga Franca më 1975./Nacionale