Presidenti i Izraelit kërkon ndihmë në Emiratet e Bashkuara për lirimin e pengjeve
Presidenti izraelit, Isaac Herzog, u takua të enjten në Dubai me homologun e tij nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Mohamed bin Zayed Al Nahyan, në margjina të bisedimeve të OKB-së për klimën, si pjesë e përpjekjeve për lirimin e pengjeve izraelite që po mbahen nga Hamasi.
Vizita e presidentit Herzog në Emirate të Bashkuara vjen gati tetë javë pas sulmit vdekjeprurës të Hamasit në Izrael më 7 tetor dhe luftës pasuese në Gaza, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Gjatë takimit me homologun nga Emiratet e Bashkuara, Herzogu e nënvizoi “nevojën për të vepruar në secilën mënyrë të mundshme për t’i liruar pengjet izraelite që po mbahen nga organizata terroriste vrastare, Hamas”- thuhet në një deklaratë të zyrës së tij.
Ai “i bëri apel” homologut Al Nahyan që ta shfrytëzojë tërë peshën e tij politike për ta promovuar dhe përshpejtuar kthimin e pengjeve në shtëpi, thuhet më tej në deklaratë.
Në një shkrim të publikuar në rrjetin X, presidenti izraelit tha se do të zhvillonte “një varg takimesh diplomatike” në Dubai për ta shtyrë përpara lirimin e pengjeve.
As part of Israel's ongoing efforts to see the release and return home of the hostages, I held an important meeting with the President of the United Arab Emirates, HH Sheikh @MohamedBinZayed. I thank him for the warm welcome here in Dubai as part of the UN Climate Conference.… pic.twitter.com/lNWit1Nt19
— יצחק הרצוג Isaac Herzog (@Isaac_Herzog) November 30, 2023
Më shumë se 140 krerë shtetesh e qeverish pritet të marrin pjesë në samitin për klimën, COP28, që mbahet të premten e të shtunën, përfshirë presidentin izraelit, i cili planifikon që të mbajë një fjalim 3-minutësh të premten.
“Në takimet e mia me udhëheqës botërorë, unë synoj që ta ngre kërkesën e prerë për lirimin e menjëhershëm dhe të pakusht të të gjitha pengjeve që mbahen nga Hamasi në Gaza. Për më tepër, do të jap hollësi dhe do t’i theksoj përpjekjet për të ofruar gjithnjë më shumë ndihma humanitare për civilët në Gaza”- tha presidenti i Izraelit.