Presidenti i Brazilit e paralajmëron Trumpin për taksat: Ata 50%, ne 50%
Presidenti i Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva, tha të enjten se do t’u vendosë taksa hakmarrëse Shteteve të Bashkuara, nëse homologu i tij amerikan, Donald Trump, e zbaton në praktikë zotimin për t’i vënë taksë shtetit të Amerikës së Jugut për shkak të gjyqit kundër paraardhësit të Lulas, Jair Bolsonaro.
Braziliani tha se do ta përdorë ligjin brazilian për reciprocitet, i cili u miratua më herët këtë vit nga Kongresi, nëse bisedimet me Shtetet e Bashkuara dështojnë, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
“Nëse nuk ka bisedime, ligji i reciprocitetit do të vihet në praktikë. Nëse ai vë 50 (për qind taksa) ndaj nesh, ne do t’i ngarkojmë ata me 50 (për qind taksa)” – tha Lula në televizionin “TV Record” në pjesë të nxjrra nga një intervistë që do të transmetohej më vonë. “Respekti është i mirë. Më pëlqen që ta ofroj timin dhe ta marrë atë” – shtoi presidenti Brazilian.
Komentet e tij e shfaqin rrezikun për shpërthimin e një lufte tregtare mes dy vendeve, të ngjashme me atë që ka ndodhur mes Shteteve të Bashkuara e Kinës. Trumpi është zotuar se do të kundërpërgjigjet fuqishëm, nëse shtetet mundohen që ta ndëshkojnë ShBA-në duke vendosur taksa ndaj mallrave amerikane.
Në letrën e taksave që Trumpi ia dërgoi Brazilit dhe e publikoi në rrjete sociale të mërkurën, presidenti amerikan e kritikoi atë që e quajti “gjueti shtrigash” kundër Bolsonaros. Kështu, kreu i Shtëpisë së Bardhë i përdori drejtpërdrejt taksat ndaj importeve për të ndërhyrë në politikën e brendshme të një shteti tjetër, thekson agjencia “Associated Prees”.
Trumpi tashmë është munduar që t’i shfrytëzojë taksat për ta luftuar trafikimin e fentanilit dhe si mjet negociatash për t’i ndryshuar mënyrat se si shtetet e tjera vendosin taksa ndaj shërbimeve digjitale dhe si i rregullojnë ekonomitë e tyre.
Në rastin e Brazilit, presidenti amerikan po mundohet ta diktojë rezultatin e hetimit penal ndaj Bolsonaros, aleat i Trumpit që, njësoj si ai, është akuzuar për përpjekje për zhbërjen e zgjedhjeve presidenciale. Bolsonaro pretendon se ai po përndiqet politikisht nga Gjykata Supreme e Brazilit rreth akuzave për komplot për të mbetur në pushtet edhe pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2022, të cilat i fitoi Lula./Nacionale