Presidenti i Bolivisë ua përgjysmon pagën ministrave dhe vetes
Presidenti i Bolivisë, Rodrigo Paz, tha të hënën se do ta përgjysmojë pagën e tij dhe të ministrave të kabinetit. Vendimi vjen në kohën e një krize politike që po rritet, e karakterizuar nga protestat dhe bllokadat në rrugë, ku po bëhet thirrje për dorëheqjen e tij.
Duke folur në një ngjarje në qytetin Sucre, kryeqytet kushtetues i vendit, presidenti tha se zvogëlimi i pagave për udhëheqësit e dëshmon “përkushtimin e qeverisë ndaj vendit”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ulja e pagave vjen kur Bolivia po hyn në javën e katërt të trazirave politike e sociale. Protestat kanë shkaktuar probleme në zinxhirin furnizues në qytetet La Paz e El Alto, ku mungesa e madhe e ushqimit, karburantit dhe ilaçeve po i godet tregjet, spitalet dhe pompat e naftës.
Protestuesit po i bëjnë thirrje Qeverisë që t’i zhbëjë masat e kursimit dhe ta adresojë koston e jetesës që po shënon rritje.
Presidenti Paz, i cili erdhi në pushtet në nëntor dhe trashëgoi një ekonomi të trazuar, e ka mbrojtur zvogëlimin e shpenzimeve shtetërore dhe subvencionet në karburante, duke i cilësuar si të nevojshme për stabilizimin e financave publike.