Presidenti austriak e ngarkon udhëheqësin e së djathtës ekstreme për ta formuar qeverinë e re
Presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen, e ngaroi të hënën kryetarin e Partisë së Lirisë (FPO) me qëndrime të së djathtës ekstreme me detyrën e formimit të një koalicioni qeveritar, pasi përpjekja e partive të qendrës për ta arritur këtë pa FPO-në dështoi në mënyrë të papritur në fundjavë.
Njoftimi shënon ndryshim dramatik të qëndrimit për presidentin, i cili dikur ka qenë udhëheqës i të Gjelbërve majtistë dhe i cili për një kohë të gjatë e ka kritikuar FPO-në dhe është përplasur me kryetarin e saj, Herbert Kickl, por Van der Bellen-it i mbetën pak opsione pas dështimit të partive të qendrës për të bërë koalicion, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
FPO-ja, parti euroskeptike e me qëndrime miqësore ndaj Rusisë, i fitoi zgjedhjet parlamentare të shtatorit me 29 për qind të votave. Ajo tani do të hyjë në bisedime me partnerin e vetëm të mundshëm, OVP-në konservatore, në përpjekje për të udhëhequr një qeveri për herë të parë që nga themelimi në vitet e pesëdhjeta nën një udhëheqës që kishte qenë oficer i lartë në njësitin elit paramilitar të Hitlerit, SS.
“Unë e kam… ngarkuar atë me nisjen e bisedimeve me Partinë e Popullit për të formuar një qeveri” – tha Van der Bellen në një adresim televiziv pas takimit me Kickl, duke shtuar: “Nuk e bëra këtë hap lehtë.”
Përderisa Kickl doli nga takimi me presidentin, qindra protestues, përfshirë disa studentë hebrenj dhe aktivistë të së majtës brohoritën “nazistët jashtë” dhe fishkëllyen, duke valëvitur flamuj me slogane ku, mes tjerash, shkruhej “ne nuk duam Austri ekstremiste djathtiste”.
Presidenti e kishte zemëruar FPO-në, duke mos e ngarkuar me detyrën e formimit të koalicionit qeveritar pas zgjedhjeve, pasi nuk ishte paraqitur menjëherë asnjë partner i mundshëm. Detyra u ishte dhënë OVP-së dhe kryetarit të saj, kancelarit Karl Nehammer. OVP-ja doli e dyta në zgjedhje.
Përpjekjet e Nehammerit për të ndërtuar fillimisht një koalicion trepartiak e më pas një koalicion dypartiak u shembën në fundjavë, duke e nxitur që ta njoftonte dorëheqjen./Nacionale