Prekëse: Nëna e ushtarit të vrarë izraelit e dëgjon zemrën e dhuruar të tij në trupin e një pacienti
Më 20 nëntor, Ayelet dhe Moshe Samo bënë vizita emocionale në spitalin “Beilinson” dhe në Qendrën Mjekësore të Fëmijëve “Schneider” në Peha Tikva. Ata shkuan për t’i takuar dy prej marrësve të organeve të djalit të tyre të ndjerë, Yehonatan-it.
Pasi rreshteri Yehonatan Samo, pjesë e parashutistëve të ushtrisë izraelite, vdiq më 10 nëntor nga lëndimet e pësuara gjatë luftimeve kundër Hamasit në pjesën qendrore të Gazës, prindërit e tij u pajtuan që t’i dhurojnë zemrën, mushkëritë, veshkat dhe disa pjesë të mëlçisë.
Organet e tij iu transplantuan gjashtë personave në katër spitale izraelite, raporton gazeta “The Times of Israel”.
“Ndihemi të dërrmuar, por vetëdija se e kemi bërë jetën të mundshme për të tjerët na forcon”- tha zonja Ayelet Samo, nënë e ushtarit të vrarë.
Si proces rutinor, të gjitha familjet e ushtarëve të rënë pyeten nëse duan që t’i dhurojnë organet ose indet e të dashurve të tyre. Nëse familja pajtohet, i nënshkruan dokumentet përkatëse, por nuk e di se cilat organe nxirren në fund. Mjekët përcaktojnë se cilat organe janë më të përshtatshme.
Nuk dihet saktësisht se sa familje të ushtarëve të rënë kanë vendosur që t’i dhurojnë organet ose indet e tyre, por disa raste janë ndarë me reporterët e shëndetësisë nga spitalet në Qendrën Kombëtare të Transplanteve.
Sipas drejtoreshës së kësaj qendre, Dr. Tamar Ashkenazi, organet e plota mund të nxirren vetëm nga individët me vdekje të trurit. Në rastin e ushtarëve të plagosur, kjo zakonisht bëhet kur ata dërgohen në spital me ritëm zemre e aktivitet të trurit, por që nuk mbijetojnë pavarësisht nga përpjekjet e stafit mjekësor.
“Vdekja e trurit ndodh orë, ditë ose javë pas plagosjes së personit”- tha Ashkenazi.
Nëse një ushtar arrin në spital i vdekur nga sulmi në zemër, mund të jetë e mundshme që atij t’i nxirren indet. Këtu përfshihen lëkura, eshtrat, ligamentet, valvulat e zemrës dhe kornea e syrit.
Rreshteri Yehonatan Simo ishte regjistruar si dhurues i mundshëm i organeve në rast të vdekjes para fillimit të luftës. Nëna e tij e kishte gjetur kartën e tij një ditë dhe e kishte pyetur për të.
“Më tha: Po, jam regjistruar para pak kohe si dhurues organesh. Ai nuk mendoi dy herë për rëndësinë e organeve të tij. Ky ishte Yehonatani. Ai bëri gjithçka me buzëqeshje dhe nga mirëkuptimi, llogaridhënia e vullneti për të ndihmuar”- tha nëna e tij.
Më 20 nëntor, bashkë me burrin e saj, ajo e pati mundësinë për ta takuar 46-vjeçarin Yaakov Malka, të cilit i është vendosur zemra e djalit të tyre.
Në një moment prekës, një mjek i dha asaj një stetoskop për ta dëgjuar të rrahurën e zemrës së djalit në gjoksin e pacientit.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli
