Prania e trupave amerikane në të ardhmen në Lituani, “në shqyrtim”, thotë ministri - NACIONALE

Prania e trupave amerikane në të ardhmen në Lituani, “në shqyrtim”, thotë ministri

3 muaj më parë

nga NACIONALE

Prania në të ardhmen e trupave amerikane në Lituani është “në shqyrtim”, tha ministri i Mbrojtjes i shtetit të Baltikut, Robertas Kaunas, duke shtuar se edhe pse Uashingtoni kishte ofruar garanci se do të arrijnë rotacione të reja, ai nuk di se kur do të ndodhë kjo dhe në çfarë niveli.

Shtetet e Bashkuara do të tërheqin mijëra trupa me bazë në Gjermani dhe Poloni, në kohën e zgjerimit të përplasjes mes administratës së presidentit Donald Trump dhe aleatëve të saj në NATO dhe partnerëve për shkak të luftës me Iranin, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Në Lituani, trupat amerikane që tash për tash janë të stacionuara në vend po largohen siç është pritur, por grupi i ardhshëm i parashikuar nuk është duke ardhur, tha ministri Kaunas.

“Rotacioni [i ardhshëm] tani për tani është në shqyrtim... sepse numri [i trupave amerikane] në Evropë është duke ndryshuar, kjo natyrisht çon në një rishikim të pozicionit rajonal” – tha Kaunas para gazetarëve në Vilnius.

Kjo lëvizje do ta linte Lituaninë pa një batalion amerikan me pajisje të blinduara e me përbërje prej rreth 1.000 ushtarësh në territorin e saj për herë të parë nga viti 2020.

Ministri tha se e kishte diskutuar situatën me sekretarin e Mbrojtjes të ShBA-së, Pete Hegseth, në një konferencë në Singapor javën e kaluar.

“Ne kemi garanci se [rotacioni i ardhshëm në Lituani] do të arrijë, por kur saktësisht, dhe me çfarë kapacitete e në çfarë madhësie, kjo pritet të njoftohet” – tha Kaunas.

Lajme të ngjashme