Polonia ua pezullon aplikimin për azil emigrantëve që vijnë nga Bjellorusia
Polonia e ka pezulluar përkohësisht të drejtën për të aplikuar për azil për emigrantët që arrijnë në territorin e saj nga kufiri me Bjellorusinë.
Kryeministri Donald Tusk tha se kjo masë do të merret pas nënshkrimit të një ligji kundërthënës nga presidenti Andrzej Duda, sipas të cilit autoritetet polake do të mund ta pezullojnë këtë të drejtë për deri në 60 ditë, raporton televizioni BBC.
Tusku tha se ligji i ri do të zbatohet “pa shtyrë asnjë moment”, ndërsa presidenti Duda deklaroi se këto masa janë të nevojshme për ta fuqizuar sigurinë në kufijtë e vendit.
Megjithatë, ligji është kritikuar nga grupet për të drejtat e njeriut, përfshirë organizatën “Human Rights Watch”, e cila ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të ndërmarrë masa ligjore kundër Polonisë, nëse ligji i ri zbatohet.
Organizata e njohur i kishte bërë thirrje Kuvendit të Polonisë muajin e kaluar që ta kundërshtonte projektligjin, duke thënë se ai “fluturon në fytyrën e detyrimeve ndërkombëtare të Polonisë dhe atyre të BE-së” dhe do të mund ta “mbyllte tërësisht në praktikë kufirin Poloni – Bjellorusi, ku autoritetet polake tashmë përfshihen në kthime të paligjshme e abuzive (të emigrantëve)”.
Qeveria ka thënë më parë se pezullimi i të drejtës për të aplikuar për azil do të zbatohej vetëm përkohësisht ndaj personave që paraqesin rrezik ndaj sigurisë shtetërorë, për shembull ndaj grupeve të mëdha të emigrantëve agresivë që mundohen t’i turren kufirit.
Përjashtime do të bëhen për të mitur të pashoqëruar, gra shtatzëna, të moshuarit ose për persona që nuk janë në gjendje të mirë shëndetësore, për këdo që është i shpërfaqur ndaj “një rreziku të vërtetë për lëndim serioz” përmes kthimit në kufi dhe për qytetarët e shteteve që akuzohen për instrumentalizim të migracionit, si Bjellorusia.
Tusku i ka kundërshtuar kritikat nga grupet për të drejtat e njeriut. “Askush nuk po flet për shkeljen e të drejtave të njeriut, të drejtën për azil, po flasim për të mos u dhënë aplikime njerëzve që ilegalisht e kalojnë kufirin në grupe të organizuara nga Lukashenkoja” – kishte thënë ai në tetor./Nacionale