Polonia thotë se qeveria hungareze është më afër Moskës se Brukselit - NACIONALE

Polonia thotë se qeveria hungareze është më afër Moskës se Brukselit

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Ministri i Drejtësisë i Polonisë, Waldemar Zurek, e akuzoi të enjten kryeministrin hungarez, Viktor Orban, se është më i afërt me Rusinë se me Evropën, duke përtërirë një përplasje mes dy shteteve të Bashkimit Evropian të cilën Budapesti e ka quajtir provokim i pajustifikuar.

Zueku shprehu zemërim me Budapestin në një intervistë me agjencinë “Reuters”, kur u pyet rreth dy ish-zyrtarëve polakë të akuzuar për keqpërdorim fondesh dhe të cilët po mbrohen nga Hungaria.

Ai e përmendi këtë rast, bisedimet e Orbanit me presidentin rus, Vladimir Putin, si dhe bllokimin e fondeve për Poloninë nga Hungaria për shkak të mbështetjes së ofruar Ukrainës kundër pushtimit rus.

“Mua sot më duket sikur udhëheqja e Hungarisë është më e afërt me udhëheqjen në Moskë se me udhëheqjen e BE-së dhe e them këtë me pikëllim të madh e gjithashtu me shqetësim të madh” – tha ministri polak.

“Orbani, fatkeqësisht, dëshiron që ta hedhë në erë BE-në nga Brenda dhe politikat e tij pro-ruse janë tërësisht të papranueshme për shumicën e qytetarëve në BE” – shtoi ai.

Në anën tjetër, Orbani e ka akuzuar Poloninë për deklarata të padrejta e provokuese për lidhjet e Budapestit me Moskën, për të cilat ai argumenton se janë në interesin kombëtar të Hungarisë. Ai thotë se sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Rusisë për luftën e saj në Ukrainë kanë kundërefekt.

Ish-ministri i Drejtësisë i Polonisë, Zbigniew Ziobro, i cili ballafaqohet me 26 akuza, përfshirë drejtimin e një grupi të organizuar criminal, ndodhet në Hungari dhe mund të kërkojë azil atje, duke e ndjekur shembullin e ish-zëvendësit të tij, Marcin Romanowski, i cili përballet me akuza të ngjashme.

Të dy ish-zyrtarët thonë se nuk do të kthehen në Poloni, sepse atje nuk do të kishin gjykim të drejtë nën pushtetin e kryeministrit Donald Tusk, i cili i mohon akuzat, duke thënë se sistemi polak i drejtësisë është i pavarur.

Orbani u takua me Ziobron në tetor dhe e akuzoi Poloninë për “gjueti politike të shtrigave”. Një gjykatë polake do të vendosë në javët në vijim nëse do të lëshohet urdhërarrest evropian për Ziobron./Nacionale

Lajme të ngjashme