Polonia s’i fton as Orbanin, as ambasadorin hungarez në ceremoninë e presidencës së BE-së - NACIONALE

Polonia s’i fton as Orbanin, as ambasadorin hungarez në ceremoninë e presidencës së BE-së

1 vit më parë

nga NACIONALE

Polonia ka vendosur që të mos e ftojë ambasadorin hungarez në Varshavë në një organizim të premten, ku do të shënohet fillimi i presidencës polake të BE-së, pasi Budapesti i dha azil një ish-zëvendësministri polak, i cili është duke u hetuar nën dyshimin për keqpërdorim të fondeve publike, tha një zyrtar i lartë.

As kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, nuk është ftuar në ceremoninë që do të mbahet në Teatrin e Madh të Varshavës, tha zëvendësministrja e Punëve Evropiane, Magdalena Sobkowiak-Czarnecka, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Varshava reagoi me zemërim, kur Hungaria muajin e kaluar i dha azil politik ish-zëvendësministrit polak të Drejtësisë, Marcin Romanowski, i cili korrikun e kaluar ishte arrestuar si pjesë e një hetimi për keqpërdorim të fondeve publike.

Romanowski ishte liruar shpejt, pasi kryetari i një asambleje evropiane për të drejtat e njeriut tha se polaku kishte imunitet si anëtar i atij organi evropian. Ish-zëvendësministri i ka mohuar akuzat kundër tij.

“Kur ne ftuam mysafirë për galan tonë para gati një muaji, e ftuam tërë trupën diplomatike, por pas situatës me ministrin Romanowski, ministri (i Punëve të Jashtme) Sikorski vendoi që ambasadori hungarez nuk është mysafir i mirëpritur në teatër sot” – tha Sobkowiak-Czarnecka në komentet e transmetuara në televizion të premten.

Kryeministri polak, Donald Tusk, dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, pritej të mbanin fjalime me rastin e inaugurimit të presidencës polake të BE-së, të cilën secili shtet anëtar e mban për gjashtë muaj.

Hungaria e kishte presidencën e Bashkimit Evropian në gjysmën e dytë të vitit 2024.

Tusku e ka kritikuar Orbanin për disa çështje, përfshirë qëndrimin e tij rreth luftës në Ukrainë dhe politikat që Polonia i cilëson si pro-ruse. Në anën tjetër, Orbani ka thënë se Qeveria e Polonisë i konsideron hungarezët si armiq./Nacionale

Lajme të ngjashme